Shqipëria

Sejko: Shqipëria me ecurinë më të mirë të kreditimit në rajon


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se për ekonominë e vendit është një arritje e madhe që niveli i kredive me probleme është ulur nga 25 për qind në 4.7 për qind.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Sejko deklaroi se tregues pozitiv regjistron sot edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto. Ai tha trendi në rritje i ekonomisë ka ndikuar në uljen e kredisë me probleme.

“Turizmi, por edhe sektorë të tjerë vlerësohet se kanë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë”.

Sejko gjithashtu tha se një ndikim me rëndësi e ka pasur edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

Ndërsa, rritja e portofolit të kredisë ndihmoi gjithashtu në uljen e peshës specifike të portofolit të kredive me probleme.

Gjithashtu bëri me dije se bankat e nivelit të dytë do të ofrojnë shërbime me kosto zero për hapjen e llogarive bankare nga qytetarët e skemave të ndihmës ekonomike dhe pensionistët.

Gjatë fjalës së tij Sejko tha se, “në muajin prill hyn në fuqi ligji për llogaritë bazike të pagesave, i cili ka të bëjë me shtresat vunerabël të popullsisë, pensionistët, individët me ndihma sociale, të cilët do të hapin llogari dhe nuk do të paguajnë komisione bankare”.

“Institucionet financiare janë të detyruara të aplikojnë komision zero për këto kategori”, tha Sejko, teksa vuri në dukje se kjo nismë synon përmirësimin e aksesit në financë, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e të ardhuravet, duke ngushtuar kështu hapësirat ekzistuese të abuzimeve.

Këto llogari bankare do të përdoren për të kryer pagesa vetëm brenda vendit.

Nga ana tjetër objektiv i BSH-së, është që deri në fund të këtij viti, më shumë se 70% e popullsisë të ketë një llogari bankare.

Sejko deklaroi se, “Shqipëria ka ecurinë më të mirë të kreditimit mes vendeve të rajonit”.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, që u mbajt sot në Tiranë, Sejko u shpreh se, praktikisht ecuria e kreditimit është e mirë.

“Ne kemi një rritje të kreditimit në nivelin 10 % me bazë vjetore. Ndërkohë që shifra e fundit për vitin 2023, tregon se, rritja e kreditimit për biznesin privat shënon 10.7%” u shpreh Guvernatori.

Sipas tij, sfida e BSH-së është për të mbajtur sistemin financiar produktiv, për të rritur kreditimin e ekonomisë, për të ulur kredinë me probleme dhe njëkohësit për të konsoliduar sistemin bankar.

“Nxitja e kreditimit në monedhën vendase, në stadin aktual që ka Shqipëria në raport me ekonominë do të ndihmonte në transmetimin më të mirë të politikës monetare dhe rritjen e ekonomisë”, deklaroi Guvernatori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore