Muzikë

“Seaside” video projekti muzikor më i ri nga Rita Ora


Rita Ora - Artiste

Artistja shqiptare me famë internacionale, Rita Ora, ka publikuar këngën e saj më të re me titull – “Seaside”, të cilën mediat e huaja e kishin paralajmëruar ditë më parë.

Në fakt kënga është pjesë e albumit të ri të Diane Warren, ndërsa këngëtarja me origjinë nga Prishtina e Kosovës, Rita Ora, ishte mysafire e projektit bashkë me artistët, Sofia Reyes dhe Reik.

Kënga është publikuar edhe me video klip, në të cilin, artistja 30 vjeçe, Ora, shfaqet me kostume plazhi dhe një rrjetë të zezë të përbërë nga gurët e të veshur nga sipër.

“Seaside” është mirëpritur nga fansat dhe për vetëm pak orë pas publikimit të projektit në platformën YouTube, ka arritur të grumbullojë mbi 2 milionë klikime.

Pos klikimeve, projekti ka rezervuar edhe kritikat më pozitive, ndërsa komentuesit shprehën pëlqimin e tyre për koordinimin e grupit të artistëve brenda një kënge të përbashkët.

Ndryshe, ditë më parë, Rita Ora, ka paralajmëruar se nga 27 gushti do të dalin në shitje biletat për koncertin muzikor që do të mbahet në Kullën “Eiffel” në Paris.

Edhe në jetën private, Ora, ka të reja që priten të ndodhin së shpejti, pasi që ajo dhe i dashuri i saj nga Zelanda e Re, Taika Waititi, po planifikojnë të kurorëzojnë dashurinë e tyre.

Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga momenti që u njohën (u takuan në fillim të marsit në Australi), sipas burimeve të “Daily Mail”, me sa duket ata do ta kurorëzojnë lidhjen e tyre.

Taika e thërret Ritën “gruaja ime” gjatë gjithë kohës, duke theksuar faktin që do të jetë burri i saj i parë dhe i fundit sipas një burimi të brendshëm.

Miqtë e tyre shprehen se ata janë shumë të dashuruar dhe se Ora është absolutisht e fiksuar pas të dashurit të saj.

Sipas tyre, Rita po mendon të martohet në një ceremoni kaliforniane dhe më pas të organizojë një festë madhështore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore