Kosova

Së shpejti në Albanian Post, historia e plotë e korrigjimit të kufijve; prapaskenat; lufta e narracioneve; qëndrimet e perëndimorëve; asociacioni dhe opsioni kinez i harresës kolektive


Ilustrim

Në vitin 2017, në publik u hodh një ide për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si një opsion real për zgjidhjen përfundimtare mes dy shteteve.

Korrigjimi do të nënkuptonte një alternativë në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Derisa me Asociacionin, Serbia përsëri kontrollonte një trup brenda shtetit të Kosovës, korrigjimi do mundësonte shkëputje përfundimtare të çfarëdo ndikimi të Serbisë në Kosovë.

Por, kundërshtimet për korrigjimin, ende të pashpjeguar e pasqaruar mirë, filluan paralelisht me vetë idenë.

Opozita në Kosovë investoi shumë që të demonizohet ideja – pa e racionalizuar mirë – për korrigjimin.

Krejtësisht brenda kundërshtimit të politikave ditore, korrigjimi u përkthye në ndarje dhe zgjidhja u prezantua si një problem i ri – problemi më i madh i Kosovës.

Në anën tjetër, partitë në pushtet, nga frika se korrigjimi përbënte një politikë jo popullore, refuzuan ta mbrojnë hapur idenë.

Derisa shumica e analistëve dhe gazetarëve, që formësojnë opinionin publik në Kosovë, u vunë në kundërshtim të korrigjimit – më shumë për të pozicionuar mirë veten në raport me atë çfarë dukej se ishte disponimi publik.

Kurse një pjesë tjetër, meqë plani për korrigjim nënkuptonte edhe bashkim të Kosovës në një fazë tjetër me Shqipërinë, kishte frikë nga humbja e privilegjeve pasi ri-rregullimi territorial, do të nënkuptonte, në mendjet e tyre, edhe ri-definim të elitës shqiptare.

Linja e parë e kundërshtimit të korrigjimit u formua nga një katërshe e politikanëve shqiptarë të përbashkuar jo aq kundër idesë në vetvete, sa kundër atyre që e dhanë.

Sali Berisha, Ilir Meta, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, katër politikanë me qëndrime, politika, ideologji dhe agjenda të ndryshme, u bashkuan për të prodhuar një narracion kundërshtues të deformuar aq sa vetë bashkimi i tyre.

Aleanca kundërshtuese, bashkë me disa media, u përqendrua në krijimin e mendimit se ekziston edhe një aleancë tjetër, ajo aprovuese e ndryshimeve kufitare.

Opozita në Shqipëri, bashkë me presidentin shqiptar, provuan të ngjizin rrëfimin se edhe zëri i zyrtar i shtetit shqiptar është pjesë e një grupi që lobon për korrigjim.

Heshtja në disa raste e Kryeministrisë në Shqipëri krijoi vakumin e nevojshëm për infiltrimin e mendimit se roli i Shqipërisë zyrtare është një nga brushat kryesore të vizatimit të ri kufitare.

Për të plotësuar kundërshtimin, katërshja gjeti zë edhe te një pjesë e gazetarëve dhe analistëve që bien në grupin, jo pa ndikim, të nostalgjikëve jugosllavë.

Jugo-nostalgjikët e kundërshtuan idenë qysh në start, jo si kundërshtim apriori i korrigjimit si zgjidhje, por duke e nënkuptuar si cenim i oazës elitare në Prishtinë dhe rrëmbim i saj nga elita në Tiranë po qe se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhte.

Si pa u kuptuar mirë dhe krejt çuditshëm ambicia për bashkim kombëtar do fillonte të zëvendësohej në përditshmërinë e gazetarisë së kontrolluar portaleske si diçka e keqe, madje e frikshme për t’u pranuar.

Tema e korrigjimit të kufijve përbën shembullin ekselent se si media e kontrolluar dezinformon përmes inflacionit të informacionit.

Në një seri shkrimesh në Albanian Post do të tregohen edhe qëndrimet e shteteve perëndimore dhe arsyet e tyre për pozicionet pro ose kundër.

Ishte Gjermania që më zëshëm kundërshtonte korrigjimin, me frikën e efektit domino në Ballkanin Perëndimor. Gjermania tentonte t’i ikte idesë së krijimit të një Ballkani, ku ndarja do bëhej kryesisht në vija nacionale. Por, kishte edhe një arsye krejt të brendshme të vet shtetit gjerman.

Rritja e madhe në disa palë zgjedhjet e fundit të së djathtës populiste në Gjermani dhe dëshirave të tyre nacionaliste, frikësoi Gjermaninë se përkrahja e projektit për korrigjim, do e validonte argumentin e populistëve djathtistë gjermanë.

Si arsye e dytë e Berlinit për qëndrimin e tyre të ngurtë është frika se, çfarëdo ndryshimi në Ballkan, çon automatikisht në shpërbërje të Bosnjës dhe Hercegovinës, kokëçarje që Gjermania mendon se Evropa s’e ka luksin ta ketë dhe kapacitetin ta menaxhojë.

Por, qëndrimi gjerman dhe lobimi për ta evropianizuar qëndrimin e vet karshi temës së korrigjimit, nuk është se e ka pasur suksesin e njëjtë sa dëshirën, meqë një pjesë e konsiderueshme e shteteve të tjera perëndimore, përkundër se më pasive, kanë qenë të hapura për opsionin e ri-rregullimeve të domosdoshme kufitare.

Ishin, sidomos, shtetet e tjera, si Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia e të tjera të gatshme të shqyrtonin korrigjimin duke e parë si një opsion real dhe ide funksionale.

Britania, në anën tjetër, ishte një nga shtetet që qëndrimi në raport me korrigjimin përbënte një ambiguitet për shkak të dy rrymave; asaj që përbën linjën e pro-bombarduesve që fillon dhe influencohet nga Tony Blair dhe më pas rryma e Jeremy Corbyn brenda Laburistëve.

Përveç dy opsioneve: korrigjimit në njërën anë dhe asociacionit në anën tjetër, një version që është diskutuar më pak publikisht, por që aprovohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje sot, por edhe disa shtetet si Rusia e vetë Serbia, është “modeli kinez i harresës”.

Ky model, që do të shpjegohet më gjerësisht në shkrimet e Albanian Post, është qëndrimi në këtë status quo, pa një zgjidhje konkrete, pa marrëveshje finale të shpejtë, derisa me kalimin e viteve të shpërbëhet edhe memoria kolektive në raport me dy popujt dhe të qëndrohet në një konflikt të ngrirë, deri në një moment të harresës.

Për këto, por edhe arsyet e tjera, u krijua një situatë paradoksale ku kundërshtohej me forcë diçka që nuk kuptohej ende.

A je “pro”, apo “kundër” korrigjimit ishte pyetja ditore e “referendumit” jo zyrtar, derisa pakkush e kuptonte realisht se çfarë përbënte opsioni i korrigjimit.

Kështu, në një mjegull të pakuptueshme informacioni që nuk informonte, kaloi një moment që, në një tjetër artikulim, mbase do përbënte zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptaro-serb.

Albanian Post do të sjellë një seri shkrimesh për historikun e korrigjimit; çfarë përbënte në të vërtetë opsioni i korrigjimit; forcat politike përkrahës dhe mohuese të kësaj ideje; rreshtimi i shteteve perëndimore për idenë dhe lëvizjet e qëndrimeve varësisht nga disponimet politike në Kosovë; lobimet politike e propagandistike për idenë dhe ku është ideja e korrigjimit sot.

Gjithashtu, pjesë e serisë së shkrimeve që ekspozon disa nga prapaskenat e keqinterpretuara për shkak të devijimit shkaktuar nga mesazhi i kontrolluar, do të jetë edhe takimi shumë i rëndësishëm mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore