Lajme

S’dorëzohet ZRRE-ja për ngritjen e çmimit të rrymës, ankohet në Supreme


Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se e kanë pranuar vendimin  Gjykatës së Apelit me të cilin Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar aktvendimin e Themelores për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, por ky institucion i është drejtuar Gjykatës Supreme përmes ushtrimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike.

“ZRRE është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës si dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit”, thuhet në njoftimin për media të ZRRE-së.

Sipas njoftimit, pas pranimit të vendimit, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) me energji elektrike ka kërkuar udhëzime nga ZRRE lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, i cili ka rrjedh nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit.

“KOSTT, po ashtu përmes një reagimi publik, është shprehur se situata e krijuar pas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, rrezikon sigurinë e furnizimit me energji elektrike si dhe marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E”.

Gjykata e Apelit në Kosovë, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses Partia Demokratike e Kosovës dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore