Lajme

Scholz kërkon zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë


Kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje paqësore, kjo pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Në një konferencë të përbashkët për media të mërkurën me kryeministrin bullgar, Nikolai Denkov, Scholz deklaroi se për të “është shumë e rëndësishme që situata të mos eskalojë më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën”.

“Bëhet fjalë për një zgjidhje paqësore dhe kjo është ajo që ne jemi shumë të përkushtuar. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim”, pohoi ai, raporton agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.

Kreu i ekzekutivit gjerman shtoi se kjo çështje do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten kur udhëheqësit e afro 50 vendeve do të takohen në Granada, Spanjë, në kuadër të Samitit Politik Evropian.

Pjesëmarrëse në këtë Samit do te jetë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani gjatë qëndrimit në Granada, mund të zhvillojë një takim bilateral me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Vjosa Osmani dhe Aleksandër Vuçiç

Sipas gazetës prestigjioze britanike, “The Guardian”, liderët evropianë në margjinat e këtij samiti do të bëjnë përpjekje për të bërë bashkë Osmanin e Vuçiç-in për të diskutuar mbi situatën e tensionuar në Veri pas ngjarjeve në Manastirin e Banjë.

“Burimet tona thonë se ka përpjekje për t’i futur Osmanin e Vuçiç-in në të njëjtën dhomë pavarësisht armiqësisë politike midis dy vendeve”, shkruan kjo gazetë.

Fokusi kryesor i samitit synohet të jetë pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 , lëvizshmëria e të diplomuarve dhe inteligjenca artificiale.

Megjithatë në takim pritet të diskutohen edhe mbi marrëdhëniet e tensionuara në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Pritet që dinamika e tensionuar mes dy shteteve e cila është si rezultati i sulmit në Banjë të jetë një temë kryesore e diskutimit”, thuhet në agjendë.

Tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë rritur pasi që një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore