Lajme

Scholz fton Ballkanin të sanksionojë Rusinë…po Serbia?


Një mesazh i qartë dhe ftesë thuajse “detyruese” nga ana e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e zhvilluar në Tiranë më 6 dhjetor: Bashkojuni sanksioneve të Bashkimit Evropian kundrejt Rusisë.

Një thirrje kjo, e cila nuk shkon thjesht ndaj gjashtëshes ballkanike, por ndaj njërës palë në veçanti, e cila është edhe më “rebelja” karshi këtij fakti: Serbisë.

“Duhet të afrojmë pozicionet tona”, bëri thirrje Scholz gjatë një konference për shtyp, të cilën e zhvilloi në përmbyllje të punimeve të Samitit. “Duam që vendet kandidate për në BE, të respektojnë vendimet politike dhe pozicionin e unionit kundrejt Rusisë”.

Në mënyrë faktike, kjo thirrje i drejtohet katër vendeve që e kanë marrë statusin kandidat, të cilat janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Por, në mënyrë të tërthortë, edhe vendeve aspirantë për marrjen e statusit, si Kosova apo Bosnjë dhe Hercegovina.

Kjo e fundit madje, që prej javës tjetër, me shumë gjasë do të marrë statusin e vendit kandidat, siç u bë me dije nga presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, pikërisht gjatë Samitit të Tiranës.

Veçse ka një “problem” themelor në atë çfarë Scholz u kërkon të gjashtë vendeve. Është fakti se, pesë prej tyre, i kanë adaptuar sanksionet ndaj Moskës.

E vetmja e mbetur, është Serbia, ku Beogradi ka refuzuar deri tani një gjë të tillë.

Madje, në një deklaratë për shtyp pas Samitit, ishte presidenti serb, Alexander Vuçiç, ai i cili e përforcoi këtë qëndrim të Serbisë karshi sanksioneve ndaj Rusisë, duke bërë me dije edhe se nuk është dakord me pikën e deklaratës së përbashkët që vendet pjesëmarrëse nxorën në përmbyllje të punimeve.

“Nuk mund të qëndroj pas kësaj deklarate, pas nuk e kam shkruar unë, por duhet të them se ne nuk ramë dakord për të sanksionuar Rusinë. Disave u pëlqen, disave jo. Për ne, nuk është e natyrshme të jemi pjesë e kësaj politike gjithsesi”, përsiati Vuçiç.

Andaj, çfarë ndodh me thirrjen e Scholz dhe mbështetjes që ai i jep rajonit për integrim në bashkësinë evropiane, në kushtet kur Serbia nuk e pranon linjëzimin e tillë politik?

Zgjerimi, sërish, sipas tij, duhet të ndodhë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore