Lajme

SBASHK-u letër kryeministrit Kurti: Qasja e juaj ndaj sindikatave është e gabuar 


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jashari

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jashari, në letrën dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “qasja e tij ndaj sindikatave dhe tendenca që të ndikojë se kush duhet e kush jo t’i udhëheqë ato është e gabuar”.

“I nderuar Kryeministër mora një informatë nga Komiteti i Sindikatave Evropiane të Arsimit (ETUCE) dhe nga Unioni Evropian i Sindikatave të Shërbimeve Publike (EPSU) se ju i jeni përgjigjur shkresës së tyre që të kanë dërguar më 9 dhjetor 2021”.

“Ju vazhdoni të keni qasje të gabuar për sindikatat dhe tentoni të ndikoni në zgjedhjen e udhëheqjes në SBASHK dhe Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

“Nuk qëndron vlerësimi juaj dhe për këtë nuk ke as edhe një argument, kur u paske deklaruar me shkrim zotërinjve Flanagan e Gourdiaan dhe Flocken se deklaratat tuaja për ndryshime në drejtimin e sindikatave nuk duhet të perceptohen në asnjë mënyrë si kërcënim ndaj pavarësisë së atyre sindikatave”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jashari.

Sipas Jasharit, kryeministri Kurti ka thënë se këta të fundit mund dhe duhet të zgjedhin gjithmonë udhëheqjen e tyre në zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente.

“Por se drejtuesit aktual të këtyre sindikatave nuk pasqyrojnë vullnetin e vërtetë demokratik të anëtarëve të tyre, përkundrazi, ato u instaluan nga qeveritë e korruptuara, neoliberale të së kaluarës”, shtoi ai.

“I nderuar Kryeministër vazhdo të mendosh e të deklarosh çfarë të duash, por e vërteta të demanton në këtë që keni thënë. Viti 2017 ishte vit i zgjedhjeve në SBASHK dhe ato ishin zhvilluar në të gjitha nivelet sindikale me transparencë e duke respektuar Statutin e SBASHK- ut”.

Kongresi i mbajtur më 24 shkurt 2018 kishte zhvilluar punimet në prani të medieve dhe me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve ndërkombëtarë dhe ata kishin parë nga afër se kryetari Jasharaj nuk u instalua nga dikush, por u zgjodh me votën e lirë e të fshehtë të delegatëve të Kongresit dhe ka besimin e plotë të të gjithë anëtarësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore