Lajme

Rusia pëson sërish disfatë në OKB, dështon seanca për Kosovën


Ilustrim

Rusia dështoi për herë të dytë brenda një jave në përpjekjen për të nxitur debat në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të aleatëve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), raportoi “Zëri i Amerikës” të enjten në mbrëmje.

Ambasadori i Francës në OKB, Nicolas de Riviere, tha të enjten se Këshilli i Sigurimit është i thirrur për të debatuar krizat aktuale nëpër botë, por nuk është forum për debate historike. Rusia shtroi kërkesë për seancë të Këshillit të Sigurimit pas dështimit që të nxisë debat seancën e kaluar. Kësaj radhe ishin 9 vende anëtare që nuk votuan në favor të kërkesës ruse.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 25 mars, propozimi i Rusisë për të diskutuar mbi bombardimet e NATO-s – një tentativë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive të Rusisë në Ukrainë – nuk u përfshi në rendin e ditës sepse vetëm Algjeria dhe Kina votuan pro.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në OKB, Robert Wood, akuzoi Rusinë se dëshiron të shfrytëzojë përvjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, për të shpërndarë propagandën ruse dhe të nxisë tensione të reja rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën plot 78 ditë.

Më 24 mars u bënë një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO ndërhyn në një territor sovran pa pasur mandat të Këshillit të Sigurimit.

Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore