Lajme

Rusia nisi sulmin me raketa në Kramatorsk, thotë Pentagon-i


Pentagon-i ka konfirmuar se një raketë nga kompleksi “Tochka U”, që ra mbi turmën në stacionin hekurudhor në Kramatorsk, është hedhur nga forcat ruse.

Kjo u bë e ditur nga një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes në një konferencë të mbyllur për gazetarët më 8 prill, citon “Radio Liberty”.

“Natyrisht, ne nuk pranuam kundërshtimet e rusëve se ata nuk ishin përgjegjës (për këtë sulm raketor). Fillimisht ata njoftuan një goditje të suksesshme, por më pas e mohuan sapo u raportuan për pasojat”, theksoi burimi i Pentagon-it.

Pentagon-i gjithashtu beson se Rusia do të përdorë divizionin e 18-të të Forcave të Armatosura për të sulmuar Kramatorsk-un.

Divizioni përbëhet nga tre regjimente këmbësorie të motorizuara, si dhe një regjiment i blinduar.

“Vlerësimi ynë është se ato pritet të përdoren aty ku u sulmua stacioni i trenit. Ne po shohim lëvizjen e njësive dhe përdorimin e forcës në këtë zonë”, shtoi zyrtari i Pentagon-it.

Viktimat

Numri i viktimave nga shpërthimet në stacionin hekurudhor Kramatorsk është rritur në 52, me 109 të plagosur.

Lajmi u njoftua nga kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Donetsk-ut, Pavel Kirilenko.

Ai foli edhe për vdekjen e njerëzve në qytete të tjera të rajonit, si pasojë e bombardimeve të forcave ruse.

“Në Avdiivka, rusët vranë 5 civilë, duke përfshirë një familje të tërë prej katër anëtarësh. Një person tjetër vdiq në Ugledar. Përveç të plagosurve në Kramatorsk, 4 persona të tjerë u plagosën në rajon: 2 në Avdiivka, 1 në Krasnogorovka dhe 1 në Ugledar, raportohet për 1 të vdekur dhe 3 të plagosur në Mariupol, por numri i saktë i viktimave në Mariupol dhe Volnovakha është ende i pamundur të përcaktohet”, shkruan zyrtari ukrainas në kanalin e tij të Telegram-it.

Reagimet

Në një deklaratë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi forcat ruse për sulmin e qëllimshëm të civilëve.

Udhëheqësi u shpreh se “në mungesë të forcës dhe guximit për t’u përballur në fushën e betejës, ata po shkatërrojnë në mënyrë cinike popullsinë civile”.

“Kjo është një e keqe që nuk ka kufi. Dhe nëse nuk ndëshkohet, nuk do të ndalet kurrë”, shtoi Zelensky.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, akuzoi Rusinë për “masakër të qëllimshme”.

Ai i cilësoi pamjet si “kasaphanë”.

“Rusët e dinin se stacioni i trenit në Kramatorsk ishte plot me civilë që prisnin të evakuoheshin. Megjithatë, ata e goditën atë me një raketë balistike, duke vrarë të paktën 30 dhe duke plagosur të paktën 100 njerëz”, shkruante kryediplomati në median sociale Twitter.

Ndërtimi i ngjarjes

Më herët, gjatë ditës raketat ruse goditën stacionin hekurudhor Kramatorsk.

Kirilenko, deklaroi më herët se gjatë sulmit me raketa, në stacion ndodheshin mijëra njerëz.

Kjo, për shkak se vazhdon evakuimi i banorëve të rajonit të Donetsk-ut drejt rajoneve më të sigurta të Ukrainës.

Nga Kramatorsk-u do të evakuohen përmes rrugës të gjithë banorët e rajonit të Donetsk-ut, të cilët mund të shkojnë në qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore