Lajme

Rusi/ Konfiskohen orët Audemars Piguet si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve zvicerane


Në Moskë, agjentët rusë kanë sekuestruar orët Audemars Piguet, me vlerë miliona dollarë, si një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve zvicerane që ndalojnë eksportin e mallrave luksoze.

Zvicra, që është shtëpia e shumë prej markave kryesore të orëve në botë, e ka braktisur qëndrimin tradicional neutral ndaj konfliktit në Ukrainë në fillim të këtij muaji.

Vendi ka miratuar të njëjtat sanksione të Bashkimit Evropian për eksportimin e mallrave luksoze.

Prandaj mendohet të ketë ardhur edhe reagimi i autoriteteve ruse, të cilët kanë përmendur kundërvajtjet doganore si arsye për sekuestrimin e orëve Audemars Piguet.

Referuar zyrtarëve të Departamentit të Punëve të Jashtme zvicerane, ndoshta është “një masë shtypëse arbitrare në përgjigje të sanksioneve”.

Sakaq, kompania ka ndaluar eksportet ruse dhe ka pezulluar operacionet e shitjes me pakicë në Rusi.

Një zëdhënës i departamentit ka thënë se ambasada zvicerane në Moskë po ofron mbështetje për bizneset ruse në koordinim me departamentet e tjera.

Dhe se “në rrjedhën e sanksioneve dhe kundërmasave ruse, kompanitë janë përballur me pasiguri dhe masa të shumta rregullatore”.

“Aktualisht ambasada po mban një shkëmbim shumë intensiv” me kompanitë lokale zvicerane në Rusi, ka shtuar zëdhënësi.

“Ndaj rastet individuale nuk mund të komentohen, edhe për të garantuar sigurinë e punonjësve të këtyre kompanive”, ka ravijëzuar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore