Lajme

Rrjeti i Grave kërkon që dhunimi i 12-vjeçares në Kamenicë të trajtohet me urgjencë


Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka kërkuar që rasti i dhunimit të 12-vjeçares në Kamenicë të trajtohet me urgjencë nga institucionet e Kosovës.

RRGK-ja përmes një njoftimi, ka theksuar përkrahjen e tyre për kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit që dyshohet se në tetor të këtij viti ka dhunuar një vajzë 12-vjeçare në Kamenicë.

“RrGK specifkisht kërkon që ky rast të trajtohet me ndjeshmëri gjinore, ashtu siç parashihet në Konventën e Stambollit, si dhe të sigurohet trajtimi i duhur psiko-social i viktimës. Po ashtu, njoftojmë se do ta përcjellim rastin nga afër dhe do të kërkojmë vënien e drejtësisë në vend. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, thuhet nga RrGK-ja.

“I dyshuari aktualisht gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, kurse, marrë parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e krimit, ne i bëjmë thirrje Gjykatës Themelore të Gjilanit që ky rast të trajtohet në përputhje me Kodin Penal të Kosovës, përkatësisht nenin 227 për veprën ‘Dhunim’”.

Policia e Kosovës për këtë rast kishte njoftuar përmes raportit 24 orësh, ku u tregua edhe se është arrestuar i dyshuari.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër e mitur. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për këtë rast ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, e cila kërkoi ndëshkim për kryesin e kësaj vepre dhe drejtësi për viktimën.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, njëkohësisht viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se ndihet e trishtuar me lajmin, ndërsa u ka bërë thirrje organeve kompetente “të veprojnë pa mëshirë ndaj kriminelëve”.

“Mjaft është mjaft. E trishtuar me lajmin e tmerrshëm të dhunimit të një vajze të mitur. Thirrje për Policinë dhe Organet e Drejtësisë, veproni pa mëshirshëm ndaj kriminelëve, njerëz sikur ky nuk kanë vend në shoqërinë tonë, nuk duhet dhe nuk guxojmë të lejojmë të ndodhin raste të tilla. Ndëshkim dhe drejtësi”, ka shkruar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore