Shqipëria

Rritja e çmimeve, përshkallëzohet protesta – ndërhyn Policia


Sërish protestë, por këtë radhë e shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Qytetarët shqiptarë po protestojnë kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe jo vetëm.

Tashmë protestuesit janë mbledhur në Tiranë, përballë Kryeministrisë.

Ata kanë kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, t’i takojë ata dhe t’i dëgjojë.

Gjithashtu, siç vepruan një ditë më parë, ata bllokuan qarkullimin në Unazën e Vogël të Tiranës.

Kjo solli edhe ndërhyrjen e Policisë, të cilët bënë thirrje për shpërndarje të turmës. Madje ata shkuan më tej duke shoqëruar disa qytetarë në Komisariat.

Qytetarët në Durrës bllokuan në të dyja anët autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë janë krijuar radhë të gjata kilometrike.

Në shenjë proteste, në Mirditë, qytetarët kanë vendosur makinat në Rrugën e Kombit, duke bllokuar qarkullimin.

Protesta pati gjithashtu në Shkodër, Kukës, Lushnjë, Vlorë dhe Tepelenë.

Në Shkodër gjatë ditës një grup të rinjsh u mblodhën para sheshit “2 Prilli”, në shenjë revolte.

Qytetarët protestojnë në Shkodër

Me pankarta në duar ata kërkuan uljen e çmimeve dhe i bënë thirrje qeverisë që të reflektojë.

Po ashtu në Lushnjë qytetarët kanë bllokuar qarkullimin në rrethrrotullimin e “Plukut”.

Gjatë ditës së djeshme, Unaza e Tiranës dhe Rruga e Shallvareve ishte e bllokuar nga protestuesit, që u bënë thirrje shoferëve, që të bashkohen me protestën e tyre për uljen e çmimit të naftës dhe produkteve bazë.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për rritjen e beftë të çmimit të naftës.

Qytetarët kanë bërë me dije se protesta e tyre nuk do të ndalet deri në normalizimin e situatës.

Qytetarët protestojnë në Mirditë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore