Kosova

“Rritja e bashkëpunimit”, çështje diskutimi mes Osmanit dhe ministrit australian


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri australian Bill Shorten.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër ku ka marrë pjesë në Samitin për Paqe të Ukrainës është takuar me ministrin australian Bill Shorten, me të cilin ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimit mes Australisë dhe Kosovës.

“Në Zvicër, falënderova ministrin australian Bill Shorten për mbështetjen e palëkundur të vendit të tij për Kosovën”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Teksa raportet mes të dyja palëve janë vlerësuar si “të shkëlqyera”.

“Bashkë, diskutuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore, rritjen e bashkëpunimit në sfera të ndryshme dhe rolin e çmueshëm të mërgatës sonë në Australi në forcimin e partneritetit tonë”.

Australia ishte një nga vendet që njohu pavarësinë e Kosovës më 19 shkurt 2008, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Ambasada e Kosovës në Canberra dhe smbasada e Australisë në Vjenë, e cila mbulon edhe Kosovën janë përfaqësitë kryesore diplomatike që lehtësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin.

Gjatë vizitës së saj në Zvicër, Osmani ka zhvilluar takime me udhëheqës të shteteve të ndryshme, ku kërkesë kryesore ndaj tyre ka qenë rritja e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme.

E para e shtetit, është duke qëndruar në Zvicër që nga e premtja e 14 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore