Lajme

RrGK kërkon më shumë buxhet nga komunat për rehabilitimin e grave të dhunuara


Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjetin i Grave të Kosovës ka kritikuar komunat për mos ndarje të mjaftueshme të fondeve për gratë, duke konsideruar si të pamjaftueshme buxhetin sidomos për gratë që janë përballur me dhunë.

RrGK përmes një komunikate për media ka kërkuar që të bëhet ndarja e buxhetit nëpër komuna dhe të zbatohet Ligji për Barazi Gjinore.

“Bazuar në analizën gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, të ndahen burime të mjaftueshme, për zbatimin e plotë të përgjegjësive komunale në lidhje me adresimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, sidomos për sa i përket rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri, ashtu siç tregojnë të gjeturat nga hulumtimi i RrGK-së “Nga Fjalët në Vepra”, deri më tani nuk ka pasur burime të mjaftueshme”, thuhet në reagimin e kësaj Organizate.

“Si shembull, të alokohet buxhet i mjaftueshëm për më shumë nëpunës për shërbime sociale, si dhe të zbatohet plani për menaxhimin e rasteve në lidhje me rehabilitim”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave të Kosovës.

RrGK ka kërkuar që të krijohen hapësira të mjaftueshme për gra dhe fëmijët në nevojë.

“Të alokohen fonde të mjaftueshme për të rritur numrin e qendrave të kujdesit për fëmijë dhe qendrave para-shkollore në proporcion me numrin e fëmijëve në nevojë në atë komunë. Kjo gjithashtu do të rrisë performancën arsimore të fëmijëve, si dhe do t’u mundësojë më shumë grave të hynë në fuqinë punëtore, siç tregohet në hulumtimin e RrGK”.

“Buxheti i Drejtorisë së Arsimit në nivel lokal të parashohë që mësuesit/et e niveleve të Arsimit të Mesëm të Ulët dhe atij të Mesëm të Lartë të trajnohen për dhe mbi ligjërimin e ndjeshëm gjinor. Të sigurohet buxhet i mjaftueshëm për ofrimin e shërbimeve për shëndetin reproduktiv në të gjitha komunat”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu kanë kërkuar që të rritet numri i inspektorëve të punës, si dhe të ngriten kapacitetet e inspektorëve të tanishëm për zhvillimin e qasjes së përgjegjshme gjinore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore