Lajme

Rrëzohet nga pushteti kryeministri pakistanez Imran Khan


Imran Khan

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është shkarkuar nga Parlamenti pas një vote mosbesimi, disa ditë pasi kishte bllokuar një tentativë të ngjashme.

Mocioni kaloi të shtunën, pasi Gjykata Supreme vendosi se ish-ylli i Kriketit (sporti më popullor në Pakistan) i kthyer në politikan, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e vendit kur ka bllokuar procesin duke e shpërbërë parlamentin.

Mocioni i mosbesimit, që kërkonte 172 vota nga 342 ulëse sa ka parlamenti pakistanezes, u mbështet nga 174 deputetët.

Vota e mosbesimit është një histori që vazhdon në Pakistan, pasi akoma nuk ka ndodhur që një kryeministër ta përfundojë mandatin e plotë pesë vjeçar në historinë 75 vjeçare të vendit.

Khan, që ka akuzuar opozitën se kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër tij, ka ftuar mbështetësit që të dalin në protesta gjithandej vendit.

Khan, shkruajnë njohësit e zhvillimeve në Pakistan, do të provojë që me anë të protestave do të bëjë presion që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ai provoi paraprakisht që t’i ikte votës së mosbesimit duke e shpërbërë parlamentin dhe thirrur zgjedhje, por Gjykata vendosi që një herë të mbahet votimi.

“Nuk do të kërkojmë hakmarrje. Nuk do vendosim njerëz në burg, por ligji duhet të marrë rrugën e vetë”, ka thënë lideri pakistanez i opozitës, Shehbaz Sharif, në fjalimin e tij pas votimit.

Gjerësisht besohet se Sharif – vëllai më i ri i ish-tri herë kryeministrit Nawaz Sharif, do ta zëvendësojë Khan-in të dielën, ose të hënën.

Khan është nga të paktit liderë në botë që ka refuzuar ta dënojë sulmin e Rusisë në Ukrainë, madje e kundërta.

Ai ka akuzuar perëndimin si forca destruktive në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore