Shqipëria

Rrëzohet ankesa e fundit për zgjedhjet e 25 prillit


Të premten e 9 korrikut, Kolegji Zgjedhor në Shqipëri ka rrëzuar ankimimin e fundit përsa i përket procesit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Ankesa kishte ardhur nga koalicioni i drejtuar nga Kujtim Gjuzi. Ky i fundit kërkonte anulimin e zgjedhjeve me argumentin se 25 prilli do të kishte rezultat tjetër nëse do të votonin migrantët.

Këtë pretendim të Gjuzit Kolegji e gjykoi si të pabazuar në prova dhe fakte. Rrjedhimisht padia e tij ra poshtë.

Ndërkohë më 23 qershor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku fituese ka dalë Partia Socialiste me 74 mandate.

Kështu, PS-ja merr të drejtën e qeverisjes si e vetme, në legjislaturën e re të shtatorit.

Ndërkohë javën e ardhshme pritet që Komisioni Rregullator të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve në rang kombëtar.

Përfundimisht, pas kësaj, rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit do të quhen legjitime.

Përtej fitores së socialistëve, me 59 mandate PD-ja renditet e dyta. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë katër mandate.

Me një surprizë zgjedhore, Partia Socialdemokrate, ka arritur të fitojë tre mandate, dy prej të cilave në Qarkun e Shkodrës.

Kurse kryeministri, Edi Rama, midis dy mundësive që kishte, ka zgjedhur të mbajë mandatin e Qarkut të Durrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore