Lajme

Rrethimi i sinagogës, Texas: Arrestohen dy adoleshentë në Angli – të dyshuar se kishin lidhje me britanikun që mori peng 4 persona


Policia në skenën e incidentit të pengjeve në Colleyville, Texas, më 16 janar 2022

Dy adoleshentë janë arrestuar në Angli, si pjesë e hetimit për një incident të marrjes peng së katër personave në një sinagogë në Texas, SHBA, të shtunën.

Shtetasi britanik Malik Faisal Akram, 44 vjeç, nga Blackburn, u qëllua për vdekje pas një përplasjeje me policinë në Colleyville.

Detajet e moshës apo gjinisë së çiftit të arrestuar në jug të Manchester-it, të dielën në mbrëmje. nuk u zbuluan.

Policia e Manchester-it tha se po ndërlidhej me komunitetet lokale dhe po vazhdonte të ndihmonte në hetimin e SHBA-ve.

Sipas policisë, dy adoleshentët u arrestuan “si pjesë e hetimit në vazhdim për sulmin” dhe po mbaheshin në paraburgim për t’u marrë në pyetje.

Ndërsa sipas burimeve të policisë amerikane, Akram mbërriti në vend nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “JFK” të New York-ut dy javë më parë.

Vëllai i Akram-it, Gulbar, konfirmoi vdekjen e tij në një deklaratë të publikuar në faqen e Facebook të Komunitetit Mysliman të “Blackburn”.

Ai u kërkoi falje viktimave dhe tha se vëllai i tij vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Policia Metropolitan-e më herët konfirmoi se oficerët e kundër-terrorit ishin në kontakt me autoritetet amerikane dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).

Rrethimi filloi rreth orës 11:00 me orën lokale (16:00 GMT) kur policia u thirr në sinagogën e Kongregacionit “Beth Israel” në periferi të Dallas-it.

Akram fitoi hyrjen fillestare në sinagogë gjatë shërbimit duke pretenduar se ishte një njeri i pastrehë, sipas një burimi policor të cituar nga “CBS-ja”.

Mes pengjeve ishte edhe rabini i sinagogës. Njëri u lirua pas gjashtë orësh dhe tre të tjerët u çuan në siguri nga policia disa orë më vonë.

Të gjithë pengjet në sinagogë u liruan të padëmtuar.

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden e quajti marrjen e pengjeve një “akt terrori” dhe Britania e Madhe e dënoi sulmin.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, e përshkroi atë si një “akt terrorizmi dhe antisemitizmi”.

Truss, në një postim në median sociale Twitter, tha se, “ne qëndrojmë me SHBA-të në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë kundër atyre që përhapin urrejtje”.

Pengmarrësi u dëgjua duke kërkuar lirimin e Aafia Siddiqui, një neuroshkencëtare pakistaneze, e cila aktualisht po vuan një dënim 86-vjeçar në një burg në “Forth Worth”, Texas.

Biden duket se konfirmoi se sulmuesi kishte kërkuar lirimin e saj, duke thënë se sulmi në Texas kishte lidhje me “dikë që u arrestua 15 vjet më parë dhe ka qenë në burg për dhjetë vjet”.

Ndër të tjera, Biden tha se sulmuesi e kishte blerë armën, pasi kishte zbarkuar në SHBA.

Burimet policore kanë deklaruar se Akram-it nuk iu gjet asnjë material shpërthyes dhe Gjykatat Federale Amerikane nuk tregojnë se ai kishte ndonjë histori kriminale.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore