Lajme

Rreth 350 mijë njerëz janë ende të bllokuar në Mariupol


Rreth 350 mijë njerëz janë ende të bllokuar në Mariupol, qyteti në Ukrainën juglindore që është rrethuar nga trupat ruse që nga 1 marsi.

“Duke marrë parasysh se ka 540 mijë banorë dhe rreth 150 mijë njerëz të evakuuar në tre ditët e para kur ishte ende e sigurt për ta bërë këtë, ne vlerësojmë rreth 350 mijë njerëz të ngecur në Mariupol”, tha Petro Andriushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupol-it, në televizionin ukrainas.

Përpjekjet e shumta zyrtare për të krijuar korridore të sigurta dhe për të evakuuar civilët nga Mariupol kanë dështuar ditët e fundit. Sipas zyrtarëve, një kolonë e madhe e ndihmave humanitare që ishte menduar të mbërrinte të dielën nuk ka arritur ende në qytet që nga e hëna.

“Shumica e njerëzve po qëndrojnë në bodrume dhe strehimore në kushte çnjerëzore. Pa ushqim, pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje”, tha ai, duke shtuar se njerëzit po shkrinin borën dhe po çmontonin sistemin e ngrohjes për të marrë ujë për të pirë.

Duke folur për viktimat civile, Andriushchenko tha se numrat e marrë nga policia dhe të përpiluara nga institucionet mjekësore ishin të pasakta. Ai tha se, që nga e diela, 1 mijë e 800 njerëz u konfirmuan se ishin vrarë.

Duke folur të hënën, Oleksiy Arestovych, një këshilltar në zyrën e Presidentit Volodymyr Zelensky, tha se bombardimet ruse të Mariupol-it kanë shkaktuar më shumë se 2 mijë e 500 vdekje.

Kjo është dita e 20-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së mbi 2.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Për të ndjekur zhvillimet e fundit të luftimeve Ukrainë-Rusi kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore