Lajme

Rreth 300 qytetarë maqedonas do të shkojnë për të mbështetur Vuçiç-in në Beograd


Aleksander Vuçiç

Rreth 300 qytetarë maqedonas nga Shkupi, Kumanova, Tetova dhe Negotini do të shkojnë për të mbështetur tubimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Partisë Progresive Serbe (SNS), i cili është planifikuar të mbahet më 26 maj në Beograd, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Në Maqedoninë e Veriut tashmë  janë rezervuar gjashtë autobusë falas, ndërsa katër të tjerë që do të mbushen nga organizata joqeveritare e Shkupit “Paqe, harmoni dhe stabilitet” nuk financohen nga Qeveria e Serbisë, por me para nga anëtarësimi dhe donacione nga disa individë.

Kryetari i shoqatës “Paqe, harmoni dhe stabilitet”, Dimitrije Nediç, në një prononcim për “Radio Evropa e Lirë”, ka deklaruar se “do të përkrahë një njeri që i mbron interesat maqedonase dhe serbe”.

“Ne do të mbështesim këdo që mbron interesat e popullit serb dhe maqedonas. Faleminderit Zotit, ky tani është Vuçiç. Ky është mandati i tij i fundit. Mbështetje mund të ketë edhe për presidentin e ardhshëm, i cili mund ta ndjekë të njëjtën rrugë si Vuçiç”, tha ai.

Këshilltari i Komunës së Kumanovës, Mirosllav Triçkoviç, ka thënë se do të paguajë nga xhepi i tij një ose dy autobusë, në mënyrë që simpatizantët maqedonas të arrijnë në tubimin e presidentit serb, por nuk ka treguar se sa do t’i kushtojë ky udhëtim.

“Unë dhe miqtë e mi e kemi marrë një autobus me qira dhe po shkojmë në Beograd. Nuk ka asgjë për të fshehur, asgjë sekrete. Nëse do ta kisha mbështetjen e SNS-së apo të Qeverisë së Serbisë, apo të kujtdo nga Serbia, do të ishin jo dy, por dyqind autobusë që do të shkonin nga Maqedonia”, tha ai.

Ndryshe, një grup prej 23 të rinjsh nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica e Veriut, janë nisur këmbë të mërkurën në drejtim të Beogradit. Ata deklaruan se udhëtimin e kanë nisur me iniciativë të tyre me qëllim që gjoja t’i japin mbështetje presidentit serb për të shpëtuar Serbinë.

Me flamuj serbë e me bluza ku shkruhet “Për Serbinë, për Vuçiç-in – serbët nga Kosova”, ata do të ecin 500 kilometra për nëntë ditë dhe synojnë të tregojnë se kjo nuk është asgjë në krahasim me “vendosmërinë” për të treguar unitet dhe harmoni në “kohë të vështira” për Serbinë.

Kuota e njerëzve që do të vijnë në tubimin e Vuçiç-it të premten duhet të plotësohet nga secila prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, transmeton “Radio Evropa e Lirë”, por edhe në zonat e tjera serbe në jug dhe në veri të Ibrit.

Vuçiç është tronditur mjaft në terrenin vendor. Në Serbi aktualisht po organizohen protesta masive si reaksion popullor kundër regjimit pas vrasjeve të cilat ndodhën njëra pas tjetrës në Beograd, ku humbën jetën mbi 17 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore