Sport

Rrëfehet Kruja për AP-në pas triumfit me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë: Ëndrra ime u realizua


Pas plot 13 viteve, trofeu i Kupës së Shqipërisë rikthehet në Shkodër. Skuadra e Vllaznisë ka mposhtur Skënderbeun, në finalen e luajtur në stadiumin “Air Albania”, me rezultatin 1-0.

Viti i fundit kur klubi, që cilësohet si “djepi i futbollit shqiptar”, fitoi trofe, ka qenë 2008. Në atë kohë, Vllaznia fitoi Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur në finale Tiranën.

Tanimë shkodranët e “kurorëzuan” sezonin e shkëlqyer që zhvilluan me trofeun e Kupës së Shqipërisë. Ka qenë Arsid Kruja, një nga lojtarët, por edhe tifozët e Vllaznisë, që ka rrëfyer për Albanian Post (AP), se më në fund “ëndrra e tij për të fituar një trofe me Vllazninë, u realizua”.

Në fakt, që prej 2008-ës, kuqeblutë nuk do të ishin më në lartësinë e duhur, aq sa ranë edhe nga Kategoria Superiore në 2018. Megjithatë, një vit më pas, u ringjitën dhe tanimë synojnë “të marrin vendin që meritojnë”.

Këtë sezon, shkodranët iu afruan edhe titullit të Kategorisë Superiore, por fati “u punoi një rreng në javën e fundit”. Ndonëse dolën me pikë të barabarta me Teutën, kampione tashmë, nuk mundën ta bënin të tyrin titullin.

 

Në vijim, për AP-në Kruja thotë se “e kam pritur gjatë dhe ka qenë ëndrra ime që të fitoja trofe me Vllazninë”, thotë ai, duke theksuar se nuk duhet “të ndalojmë dhe të synojmë trofe të tjerë”.

Kupat e Evropës

“Ky ishte një hap i rëndësishëm për të ardhmen, pasi këtë vit do të marrim pjesë në Kupat e Evropës”, tha Kruja i bindur.

Por, ai vuri theksin se duhet “që të përfaqësohemi denjësisht”.

27-vjeçari foli edhe për ndjenjën që ka përjetuar kur dëgjoi fishkëllimën e trefishtë të gjyqtarit dhe zyrtarisht u shpall kampion i Kupës.

“Është kupa e parë që marr me ekipin e zemrës dhe ekipin ku kam dal si futbollist. Është një ndjenjë shumë e veçantë kur sjell në qytetin tënd kupën”, vijoi mesfushori, duke thënë se “me punë dhe përkushtim, besoj se do të sjellim të tjerë tituj”.

E ardhmja e Krujës

Shkodrani, gjatë bisedës me AP-në, u ndal edhe tek e ardhmja. Ai tha se do të vazhdojë t’i përfaqësojë ngjyrat e qytetit të tij, duke i qëndruar besnik Vllaznisë.

“Unë kam rinovuar me Vllazninë dhe do t’i qëndroj besnik një epoke të re që ka nisur dhe besoj se gjërat janë në rrugën e duhur”, shtoi Kruja.

“Shpresoj që edhe unë personalisht të ndihmoj ekipin duke zhvilluar lojëra të mira. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e Vllaznisë për një kohë të gjatë”, përfundoi prononcimin 27-vjeçari, që këtë sezon në Kupën e Shqipërisë luajti pesë ndeshje, duke shënuar dhe asistuar gjashtë herë.

Kruja, në total, për sezonin që sapo lamë pas, u paraqit në 37 ndeshje me Vllazninë, duke realizuar një gol dhe gjashtë asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore