Lajme

Roth: Për shumë miq të Ballkanit regjimi i Vuçiç-it s’është partner i besueshëm – s’ka vend në BE për miqtë e Putin-it


Michael Roth

Michael Roth, Kryetari i Komisionit të Parlamentit gjerman për Politikë të Jashtme, ka thënë se gjatë kohës sa Aleksandër Vuçiç është President i Serbisë, ky shtet e ka humbur “më shumë statusin e një demokracie”.

“Parregullsitë zgjedhore konfirmuan edhe një herë këtë trend alarmant. Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve fantazmë në favor të SNS në pushtet”, ka thënë Roth në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”.

Këto, beson deputeti gjerman, “janë metoda nga mjetet e një sunduesi autokratik – jo një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe dëshiron ta udhëheqë vendin e tij në BE”.

“Megjithatë, Vuçiç nuk kërcënon vetëm paqen e brendshme në Serbi, ai është gjithashtu dikush që shkakton probleme të vazhdueshme në rajon. Mbani mend vetëm precedentin me vendosjen e trupave në kufirin me Kosovën, në fund të shtatorit 2023”, shtoi ai.

Situata, në vlerësimin e Roth-it, “është jashtëzakonisht shqetësuese”, pasi që konsideron se “demokracia është në rrezik”.

“Nuk dua të dorëzohem lehtë kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane të Serbisë. Gjermania është një nga përkrahësit më të fortë të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke u bërë anëtarë të BE -së, përfshirë Serbinë”.

Por, bënë me dije ai, për shumë evropianë të përkushtuar dhe miq të Ballkanit Perëndimor, “presidenti Vuçiç dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm”.

“Nuk ka vend për miqtë e (Vladimir) Putin-it në BE”, theksoi ndër të tjera deputeti gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore