Sport

Ronaldo gjen një mënyrë t’i ndihmuar viktimat e vullkanit në La Palma


Ylli i Manchester United, Cristiano Ronaldo, ka gjetur një mënyrë të mirë për t’i ndihmuar viktimat e vullkanit në ishullin spanjoll, La Palma.

Në këtë mënyrë, Ronaldo ka hedhur në ankand fanellën e tij të kombëtares së Portugalisë, e cila është e nënshkruar nga ai.

Përveç firmës së portugezit, në atë fanellë ai ka shkruar “As forca e një vullkani nuk do të krahasohet me dashurinë për La Palma. E gjithë mbështetja ime për ishullin e bukur”.

Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, ankandi për shitjen e fanellës së Ronaldo-s, do të dalë më 24 dhjetor.

Të gjitha të hyrat e përfituara nga shitja e fanellës, do të dhurohen për mijëra njerëz të cilët janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pas shpërthimit të vullkanit.

Afro 3 mijë ndërtesa thuhet se janë shkatërruar nga vullkani që ndodhi në ishullin e vogël Kanarie.

Sa i përket fanellës së kombëtares, Ronaldo ka deklaruar se ajo është veshur nga vet ai, në njërën nga ndeshjet e fundit të Portugalisë.

Kujtojmë që ndeshja e fundit e Portugalisë, ishte ajo humbja ndaj Serbisë, pas së cilës portugezët nuk u kualifikuan direkt në Kupën e Botës.

Për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, Portugalia fillimisht duhet ta mposhtë Turqinë në gjysmëfinale të “play-off-it”, para se të përballet me njërën mes Italisë apo Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore