Kosova

Rizvanolli: Vërehet efekti i thirrjeve për kursimin e energjisë elektrike


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli, është shprehur se ka filluar të vërehet kursimi i energjisë elektrike nga ana e qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rizvanolli ka treguar se thirrjet për kursim kanë pasur efekt pozitiv.

“Efekti i thirrjeve për kursim e racionalizim të konsumit të energjisë elektrike veç ka filluar të vërehet. Sipas KOSTT, menjëherë të martën kulmi (peak) i konsumit (1.3 GW), që zakonisht ndodh gjatë ditës, është zhvendosur në orën 23:00”, ka shkruar ajo.

Sipas saj ky trend i kursimit ka vazhduar pothuajse gjatë gjithë javës.

“Ky trend i kulmit të konsumit në ora 23:00 (gjatë tarifës së ulët) kur tarifa është 57% më e lirë, ka vazhduar edhe të mërkurën dhe të enjten! Ju faleminderit të gjithëve!”, ka shkruar Rizvanolli.

Disa ditë më parë ajo ka bërë thirrje mjaft interesante duke thënë se pajisjet elektronike siç janë: “konsoloa e video-lojërave”, ose ndryshe siç njihet nga të rinjtë “joystickat e Playstation”, nuk duhet të lihen në rrymë.

Sipas saj “kjo kërkesë vjen tek qytetarët me qellim të kursimit të energjisë elektrike për ngrohje nëse kanë mundësinë”.

Tutje ajo kishte deklaruar se sa i përket rritjes së çmimeve, është detyrim i Zyrës se Rregullatorit për Energji të hap shqyrtimin e kërkesave për tarifat, në këtë kohë krize.

Albin Kurti

Ndërkaq, Kryeminstri i Kosovës, Albnin Kurti, në një konferencë për shtyp kishte deklaruar se mënyra e ngrohjes për të ishte batanija.

“Unë mbrëmë jam mbuluar me batanije. Pjesën më të madhe të kohës po më duhet të rri ose në makinë ose në kryeministri. Por, shpresoj që kjo përgjigja ime mos të bëjë që deputeti Bekim Haxhiu të thërras ndonjë konferencë për media”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti, ka thënë se do të bëjnë krejt çka dinë e munden për t’u dalë zot qytetarëve për furnizim sa më të qëndrueshëm e çmime sa më të përballueshme.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se sipas tij do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore