Shqipëria

Rita Ora viziton “Shtëpinë e Ngjyrave”: Po bëhet një punë e pabesueshme


Rita Ora ka vizituar “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë edhe strehën e emergjencave.

Te “Shtëpinë e Ngjyrave” mundësohet që fëmije t’i sigurohet përkujdesja dhe një mjedis i sigurt për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimin dhe argëtimin.

Rita Ora kaloi kohë me fëmijët e qendrës duke luajtur, kërcyer dhe pikturuar së bashku me ta.

“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri”, ka thënë këngëtarja.

“Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në ‘Shtëpinë e Ngjyrave’. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, ka vijuar ajo.

Qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth katër mijë fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Ajo është kthyer në një pikë referimi për komunitetet dhe autoritetet përkatëse, duke krijuar një sërë praktikash multidisiplinare për integrimin më të mirë të fëmijëve në nevojë që në moshë të re.

“Jam shumë i lumtur që Rita ishte pjesë e një vizite shumë të veçantë, për të parë punën e jashtëzakonshme që bëhet këtu nga stafi i mrekullueshëm i Nismës ARSIS me fëmijët në situatë rruge”, ka vijuar kryebashkiaku Erjon Veliaj.

Sakaq, vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyrueshme të fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore