Kosova

Ri-hapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok


Ri-hapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok

Pas sulmit në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në objektin e komunës, Ministria e Punëve të Brendshme e ka ri-hapur këtë qendër në objektin e stacionit policor.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, ku ka theksuar se puna në këtë qendër do të zhvillohet normalisht dhe se janë të gatshëm që nga e enjtja e 30 shtatorit t’iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve.

“Ky është një objekt i adaptuar për të ofruar shërbime të menjëhershme qytetarëve që kanë nevojë për të marrë shërbime, deri në funksionalizimin e plotë të objektit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili u shkatërrua si pasojë e një sulmi kriminal, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës me 20 shtator, për vendosjen e targave të përkohshme”, thuhet në njoftim.

Sipas MPB-së, kjo “është një ndërhyrje e shpejtë që kanë bërë zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit të MPB-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim që qytetarët e kësaj zone të mos mbesin pa shërbime”.

Ri-hapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok

Ndërkaq, të shtunën, më 25 shtator, në Kosovë kanë ndodhur dy sulme në komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Digjet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Sipas, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti sulmi ndaj këtyre qendrave ishte i qëllimshëm.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Po ashtu, policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur mjete shpërthyese në Qendrën e regjistrimit në Zveçan, ndërsa ekipi i deminimit i ka asgjësuar në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

“Në vend ngjarje ka dal njësiti patrullues nga Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku konstatuan se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës, ku brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur. Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit

Njësia Speciale e Kosovës në kufirin e Jarinjes

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore