Lajme

Rexhep Selimi kërkon ti ndërrohet avokati


Rexhep Selimi, ish-pjestar i UÇK-së

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, i cili po akuzohet për krime lufte në Hagë, ka kërkuar që të mos mbrohet më nga avokati i tij David Young, por nga Geoffrey Roberts, i cili është bashkë-avokat në ekipin e tij mbrojtës.

Zyra e Mbrojtjes ka pranuar këtë kërkesë nga Selimi për autorizimin e avokatit Roberts, dhe kërkesën e avokatit Young për t’u tërhequr.

“Më 25 prill 2023, Zyra e Mbrojtjes pranoi një letër nga z. Selimi ku kërkohej që z. Young të tërhiqet nga avokati i tij i caktuar dhe që z.Geoffrey Roberts, aktualisht bashkë-avokat në ekipin e tij të mbrojtjes, të caktohet si zëvendësues”, thuhet në njoftimin për medie të Zyrës së prokurorit të Specializuar.

“Z.Selimi përfshiu një përshkrim të shkurtër të motivimit të kërkesës së tij. Zyra e Mbrojtjes gjithashtu ka pranuar nga z. Selimi një kërkesë për emërim të nënshkruar, si dhe një autorizim për z. Roberts. Në të njëjtën ditë, z. Young paraqiti një kërkesë përkatëse për t’u tërhequr. Z. Roberts i konfirmoi Zyrës së Mbrojtjes se ai ishte kontaktuar me kërkesë për të përfaqësuar z. Selimi dhe se ai do ta pranonte emërimin”.

“Z. Roberts pranohet në listën e avokatëve të specializuar në përputhje me nenin 7 të ligjit Direktiva për avokatin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Arsyen e ndërrimit të avokatit të Rexhep Selimit, e ka treguar gruaja e tij, Shqipe Mehmeti-Selimi.

“David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit. Megjithatë për arsye shëndetësore është vendosur në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar Avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts, kurse bashkë-avokat z. David Young”, ka shkruar.

“Ekipa mbrojtëse e Rexhep Selimit vazhdon punën si gjithmonë – me intenzitetin dhe harmoninë e zakonshme. Ne si familje jemi të kënaqur me punën e avokatëve”, ka përfunduar ajo.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore