Shqipëria

RENEA me mision kërkimi në Shkodër pas Elbasanit


Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar gjatë së premtes një tjetër operacion kërkimi në Shkodër.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë zbardhur detaje sa i takon aksionit të radhës, pas atij të Elbasanit i cili u përmbyll me shoqërimin e pesë personave.

Të paktën nëntë furgona të RENEA-s, sipas mediave, janë parë në unazën perëndimore të qytetit.

Dy janë mundësitë operacionale të zbarkimit të forcave speciale në Shkodër.

E para mund të lidhet me vrasjen e Naim Bajrit më 3 qershor.

Viktima e atentatit në lagjen “Rus” të Shkodrës ishte nga radhët e fisit Bajri.

Naim Bajri, 68 vjeç, ishte banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Autoritetet gjetën pas vrasjes në lagjen “Guerrile”, Shkodër, një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Pas incidentit të orëve të para të së premtes, forcat speciale u angazhuan menjëherë.

Ditën e djeshme operacioni në Elbasan vendosi në pranga Kelmend Xhaferrin, i cili dyshohet se u arrestua pas dëshmisë së Nuredin Dunamit.

RENEA mësynë pasditen e së enjtes në qytetin e Elbasanit, me qëllime të qarta për kapjen e personave në listën e më të kërkuarve – mes tyre edhe Talo Çela.

Efektivët e RENEA-s i bënë shoqërimet në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Kjo mund të jetë arsyeja e dytë e operacionit të forcave speciale gjatë 10 qershorit në qytetin e Shkodrës.

Ky bëhet operacioni i gjashtë radhazi, pas aksionit të bujshëm të 19 majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore