Lajme

Rëndësia e KFOR-it në Kosovë do të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s


Në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë pritet të diskutohet rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Anadolu”, duke cituar disa çështje të rëndësishme që do të diskutohen në samit pas takimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kujtojmë që Lituania do të presë një Samit të NATO-s në Vilnius më 11-12 korrik 2023.

Takimet do të kryesohen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe do të zhvillohen në LITEXPO – Qendra e Ekspozitave dhe Kongreseve Lituaneze në kryeqytetin e vendit.

Gjatë takimit mes Erdogan-it dhe Stoltenberg-ut, ky i fundit shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij ndaj Turqisë për mbështetjen e dhënë me vendimin për dërgimin e përforcimeve në Kosovë.

“Unë do të doja të falënderoja Turqinë për përforcimet që kanë vendosur të dërgojnë në Kosovë, pas trazirave të fundit në rajon”, deklaroi Jens Stoltenberg për gazetarët pas takimit me dyer të mbyllura me presidentin Erdogan në Pallatin Dolmabahçe.

Dita “ogurzezë” e paqeruajtësve heroikë në Kosovë

Qëndrimi i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi më herët se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, do të shprehej fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

“Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor dhe të vendosim një batalion shtesë të forcave tona në gatishmëri të lartë, në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij”, theksoi shefi i NATO-s.

Në përmbyllje, ai e pati dhe një mesazh për aktorët shtetërore duke vërejtur se “dhuna e zmbraps Kosovën dhe gjithë rajonin dhe i vë në rrezik aspiratat euroatlantike”.

“Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, e cila është e vetmja rrugë për një paqe të qëndrueshme”, ravijëzoi Jens Stoltenberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore