Shqipëria

Rekrutit rus të GRU-së nuk i pranohet rekursi dhe mbetet në burg


Gjykata e Lartë në Shqipëri ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për rekrutin e inteligjencës ruse Mikhail Zorin.

Kjo masë u caktua më 20 shtator nga Gjykata e Apelit në Durrës.

Të tre të dyshuarit rusë për spiunazh bënë më pas rekurs në Gjykatën e Lartë për lirimin e tyre, por kjo e fundit nuk u pranua.

Ata akuzohen për spiunazh si edhe për ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të shtetit.

Masën e kërkuar nga organi hetimor e ka konfirmuar Gjykata e Elbasanit, duke i lënë të tre të pandehurit në burgim.

Zorin, i cili po testohej për t’u pranuar si agjent në strukturat e Drejtorisë kryesore të Inteligjencës (GRU) nuk do të ndalej vetëm në Shqipëri.

Misioni i tij i radhës do të ishin vendet e tjera të Ballkanit dhe fokusi nuk do të ndryshonte – referuar kryesisht objekteve ushtarake të reja ose të vjetra.

“Do jesh turist dhe do vizitosh shtetet e Ballkanit, do jesh i financuar dhe do synosh kryesisht objektet ushtarake të reja ose të vjetra, do i fotografosh ose nga brenda ose nga jashtë”.

Detajet e reja nga hetimi për shtetasit e ndaluar në Gramsh u bënë të ditura nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare në kushte anonimiteti për “Albanian Post”.

“Kjo ishte detyra fillestare për rusin, për të vendosur nëse do të rekrutohej më pas”, u shpreh ai.

Sipas tij, rrëfimi i Zorin-it tregon dashur padashur se si rekrutohen dhe se si shikohen gjërat nga inteligjenca e jashtme ruse.

Kjo, për t’i pasur njerëzit të lidhur pas vetes që nga zbulimi i të kaluarës dhe cenet e tyre duke i bërë presion ose duke i joshur me karrierë dhe perspektivë.

“Rrëfimi i studentit në organet kompetente shqiptare në këtë formë tregoi se ata janë në pjesën fundore të spiunazhit dhe ata mund edhe të sakrifikohen për të krijuar një precedent deri në nivele diplomatike. Kjo, e kombinuar me shërbimet sekrete ruse”, vijon burimi.

E vetmja mëdyshje e hetimit të inteligjencës shqiptare deri në këto momente lidhet me saktësinë e koordinatave të bazës që rusët kishin.

Ky është një element që kompromentoi të arrestuarit, duke treguar se ata kanë shkuar në Gramsh të përgatitur me harta dhe me koordinata duke përdorur mjetet e sofistikuara të navigacionit.

Gjykata urdhëroi të mërkurën që dy rusët dhe ukrainasi të qëndrojnë në burg për akuzat e “sigurimit të informacioneve sekrete të karakterit ushtarak apo të çdo karakteri tjetër për t’i dhënë një fuqi të huaj, e cila cenon pavarësinë e vendit”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk u dhanë detaje se pse të dyshuarit mund të kenë qenë të interesuar për vendin.

Ata u arrestuan të shtunën brenda ose pranë ish-uzinës ushtarake në Gramsh. Të dyshuarit kishin bërë fotografi të uzinës.

Autoritetet shqiptare thanë se Zorin, i cili kishte hyrë në fabrikë, përdori spraj piperi ndaj dy rojeve ushtarake që po përpiqeshin ta kapnin.

Timofoeva dhe Alpatov u arrestuan jashtë kompleksit.

Policia tha se sekuestroi automjetin e tyre Chevrolet, dy drone, një laptop, para dhe prova të tjera.

Arrest me burg për dy rusët dhe ukrainasin e rastit të Gramshit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore