Shqipëria

Regjistri për krime seksuale, Xhixho: Mundësohet identifikimi i ‘grabitqarëve’


Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes deputetes Erisa Xhixho, ka njoftuar për nismën që lidhet me regjistrin e të dënuarve për krime seksuale, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të bëra publike, ku viktima janë fëmijë të mitur.

“Vetëm gjatë periudhës, prej 1 janarit 2019 deri më 1 qershor 2020, 66 fëmijë kanë rënë pre e ngacmimit dhe dhunës seksuale nga persona të afërt apo janë dhunuar seksualisht nga familjarë të tyre, 3 prej tyre (vajza) janë vetëvrarë. Ndaj kam dorëzuar në Kuvend projekt-ligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale”.

Regjistri Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale, thekson Xhixho, do të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.

“Në hartimin e këtij projekt-ligji janë marrë për bazë eksperiencat më të mira nga një sërë vendesh të Bashkimit Evropiane dhe atyre të rajonit”.

Gjithashtu, deputetja bëri me dije se hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë.

“Regjistri i mundëson Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të identifikojnë dhe monitorojnë grabitqarët seksualë, pedofilët dhe personat që kanë tendencë për të kryer krime seksuale, duke disponuar informacion të detajuar lidhur me të dhënat personale, vendbanimin, rrethin shoqëror, komunikimet, veprimtarinë dhe punën e tyre”.

Dy ditë më parë, Xhixho njoftoi se ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për krijimin e Regjistrit të Krimeve Seksuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore