Gjykata Speciale

Refuzohet kërkesa e dëshmitarit Fondaj për të pasur avokat


Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Gjykatën Speciale, është duke vazhduar dëshminë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurtesh Fondaj, i cili ka kërkuar që të ketë një avokat pasi që konsideron se deklaratat e tij janë keqpërdorur, por që kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, e ka refuzuar kërkesën.

“Unë dje pasdite i kam parë incizimet që janë prezantuar nga gjykata, i kam përcjell me vëmendje sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari më ka bërë të mendoj se duhet të kërkoj një avokat, sepse po mendoj se jam keqpërdorur”.

“Po kërkoj prej juve të më ofroni ndihmën e një avokati”, ka thënë Fondaj.

Fondaj, fillimisht ishte pyetur nga prokurori Matthew Halling nëse Skendër Hoxha, ka qenë profesionist dhe për vështirësitë që kishte në zonën që udhëhiqej nga ai.

Ndërkaq, është pyetur edhe për disa problematike që pretendohej se ka pasur Blerim Kuçi, sipas një dokumenti, por i cili s’është bërë publik për audiencën.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje nga avokati Ben Emmerson, ai është pyetur për qeverisjen e Bujar Bukoshit.

Sipas Fondaj, marrëveshja ushtarake gjatë kësaj udhëheqje kishte hyrë në fuqi para marrëveshjes politike.

Ai tha se marrëveshja politike s’kishte hyrë asnjëherë në fuqi.

Fondaj theksoi se “UÇK-ja s’u bë asnjëherë pjesë e ministrisë së Mbrojtjes në qeverisjen Bukoshi”.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij Fondaj është pyetur për raportin që ka pasur me njërin nga ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri më tani janë dëgjuar 73 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore