Lajme

“Reduktime ka sepse nuk prodhohet sa është kapaciteti i termocentraleve të Kosovës”


Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me reduktimet me energji elektrike.

Gjoshi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ e ka quajtur ‘paaftësi’ punën e qeverisë.

“Në pikë të verës, kur temperatura shkon deri në 37-38°C, Kosova po përballet me reduktime për shkak të paaftësisë së Qeverisë, e cila ka dërguar atje në Bordin e KEK-ut gjithashtu një grup politik të paaftësh”, ka shkruar ai.

Sipas tij, arsyeja e mungesës së energjisë elektrike në Kosovë nuk është as për shkak të mungesës së saj në tregjet ndërkombëtare e as nuk ka lidhje me luftën në Ukrainë.

“Kosova ka kapacitet të prodhojë deri në 900 Megawatt, por ju po prodhoni shumë më pak. Nuk po arrijnë t’i përmbushin nevojat ditore as kur konsumi në këto ditë të nxehta vere është minimal”.

“Reduktimet 6:2 nuk kanë lidhje me luftën në Ukrainë. Nuk ka reduktime pse nuk po arrijnë të gjejnë rrymë në tregjet ndërkombëtare, por sepse nuk po arrijnë të prodhojnë as sa është kapaciteti i termocentraleve të Kosovës”.

Prishtina me reduktime.

Gjoshi, shton se nuk duhet të ketë pritshmëri nga kjo qeveri sa i përket sigurimit të energjisë.

“Nëse kjo Qeveri në pikë të verës nuk arrin të sigurojë energji për konsumin ditor minimal, mund ta marrim me mend se çka mund të na presë në dimër. Kjo Qeveri e të Paaftëve një popull e mori në qafë!”.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i kontaktuar nga Albanian Post kishte konfirmuar se reduktime do të ketë edhe gjatë të premtes.

“Po ka kufizime të energjisë elektrike edhe sot. Jemi në pritje të përmirësimit të situatës, ashtu siç e ka proklamuar Komiteti për Energji, por kjo nuk është në dorën tonë”, ka thënë Buzhala për AP.

Kriza energjetike në Kosovë është shkaktuar për shkak të pamundësisë financiare së Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovës (KEDS) për të blerë energji nga jashtë.

Njoftimi për ndërprerjen e energjisë elektrike në periudha të ndryshme, është protestuar ashpër dhe masivisht nëpër rrjete sociale nga qytetarët, prandaj qeveria e ka trajtuar me urgjencë situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore