Shëndet

Realizohet eventi solidarizues për Adriana Matoshin


Fotografi e shkrepur gjatë eventit solidarizues për Adriana Matoshin

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar është mbajtur eventi i planifikuar në Facebook, ku njerëz të shumtë kishin shprehur dëshirën dhe vullnetin për të marrë pjesë në një ecje në nder të aktores, Adriana Matoshi, pasi që kjo e fundit ka njoftuar se pas 9 vjetësh i është rikthyer tumori në hipofizë.

Fotografi e shkrepur gjatë eventit solidarizues për Adriana Matoshin

Ecja është realizuar të martën e 30 nëntorit, ndërsa ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” duke vazhduar deri tek Teatri Kombëtar i Prishtinës.

Kauzës për nder të Adriana Matoshit i ishin bashkangjitur një numër i madh i njerëzve, përfshirë qytetarë të shumtë, miq e familjarë, kolegë e figura të ndryshme publike.

Fotografi e shkrepur gjatë eventit solidarizues për Adriana Matoshin

Madje, mes tyre ishte edhe këngëtarja e famshme, Dafina Zeqiri, e cila nuk ka hezituar të publikojë një storie në llogarinë e saj të Instagram-it, për të treguar se ka qenë pjesë e kauzës.

Fotografi e publikuar nga Dafina Zeqiri në Instagram.

“Të duam Adriana”, ishte mbishkrimi në maskën e yllit të hitit “Duro”.

Ndërkohë, organizatorët thanë se ecja është realizuar në shenjë solidarizimi me sfidën me të cilën Matoshi po përballet për të dytën herë në jetë.

“Duam që me anë të kësaj ecje, të solidarizohemi me sfidën e Adrianës, për të cilën lutemi të gjithë që ta fitoj si çdo peripeci që e ka kaluar në jetë”, shkruhej në njoftim.

Pëndryshe, Adriana Matoshi, përmes një postimi prekës në Facebook, ka treguar se pas nëntë vitesh i është rikthyer tumori në tru, për të cilin ishte operuar.

“Kanë qenë të shumta sfida që më është dashur të kaloj. Në atë periudhë isha edhe shtatzënë. Asnjë moment nuk u dorëzova. Dashuria ime për jetën ishte më e madhe se frika ndaj vdekjes”, është shprehur ajo.

Ajo ka theksuar se gjatë këtyre viteve, ka qenë mjaft e angazhuar dhe e përkushtuar në familjen e saj.

“Mendoj që i kam thyer limitet e vetes. Stresi i akumuluar dhe mbingarkesat janë disa nga faktorët, që ndoshta kanë ndikuar në rikthimin e tumorit”, tha ajo.

Të mërkurën, aktorja do të përballet me sfidën e operimit.

“Më duhet të jetoj sepse kam shumë qytete të botës pa parë, shumë skena filmi pa shkel, shumë role pa luajtur”, shtoi më tej ajo.

Në fund, ajo jep një mesazh duke theksuar se është shumë e rëndësishme të vlerësoni jetën, dhe “mos të lakmoni as pasurinë, as famën, pasi asnjë sukses nuk vjen para jetës”

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore