Përballje

Real-i ndalet nga Osasuna


Real Madrid-i më në fund është ndalur pas gjashtë fitoreve radhazi, teksa në ndeshjen e javës së shtatë në La Liga, nuk shkoi përtej një barazimi me rezultat 1:1 ndaj Osasuna-s.

Pjesa e parë u karakterizua me dominim total të Real-it, por goli erdhi vetëm tre minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Vinicius Junior shënoi një gol shumë të bukur nga distanca, që në pamje dukej që ai dëshironte një harkim në zonë.

Goli i Vinicius Junior.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të madrilenëve, derisa pesë minuta pasi filloi e dyta, Osasuna barazoi shifrat me anë të Kike Garcia-s.

Pas golit të barazimit, Real-i shtoi presionin, por fati nuk ishte në anën e tyre për të shënuar.

Në minutën e 79-të, Karim Benzema fitoi një penallti, e cila u akordua nga sistemi VAR, por francezi nuk u tregua i saktë duke goditur shtyllën.

Nga penalltia e shkaktuar u përjashtua me karton të kuq futbollisti i Osasuna-s, Unai Garcia.

Menjëherë në aksionin pasardhsës, Benzema gjeti golin, por ai u anulua përsëri nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Në vazhdim, Real-i kërkoi golin, po ata nuk mundën ta gjejnë, kështu duke dalë me një pikë nga ky takim në “Santiago Bernabeu”.

Pas shtatë ndeshjeve, tani Real-i ndan pozitën e parë në La Liga me Barcelonën me nga 19 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore