Kosova

Reagon Sokol Haliti pas akuzave për inskenim nga Bislim Bislimaj


Sokol Haliti kryetar i Deritanishëm i Vitisë, nga LSK dhe Bislim Bislimi kryetar i degës së VV-së në Viti

Pas akuzave nga kryetari i degës së Vetëvendosjes në Viti, Bislim Bislimi se ishte Sokol Haliti ai i cili ia montoi rastin e dhunimit të të miturës, ka reaguar ky i fundit.

Haliti, kryetar i deritanishëm i komunës së Vitisë, përmes llogarisë së tij në Facebook ka thënë se nuk ka gisht në inskenimin e këtij rasti, por tregon se Bislimi ka probleme pronësore me babain e të miturës e cila u pretendua se u dhunua nga Bislim Bislimi.

“Për hir të korrektësisë dhe informimit të drejtë të qytetarëve të Vitisë dhe opinionit të gjerë, lidhur me akuzat e pabaza drejtuar kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dëshirojmë të ju njoftojmë se këto pretendime se kinse kryetari Haliti qenka i përfshirë në të ashtuquajturën “inskenim i rastit”, të anëtarit të kryesisë së LVV-së Bislim Bislimaj, nuk qëndron dhe se këto akuza janë të pa baza”.

“Duke e ditur se vet rasti është denoncuar nga prindi i vajzës për të cilën akuzohet Bislimaj, dhe duke u bazuar në konferencën për media që ai ka mbajtur, na len të kuptojmë se këto dy familje kanë probleme pronësore mes vete, dhe e gjithë kjo rrëmujë është bërë me qëllim të caktuar pikërisht në kohë fushate, dhe e përdorin që ti japin tjetër kahje e të njollosin udhëheqësinë komunale dhe stafin e komunës pa të drejtë, dhe pa asnjë argument, por vetëm për qëllime politike”.

“Unë si kryetar komune, këtë akuzë e kam kuptuar nga mediumet dhe dënoj fuqishëm këto akuza dhe etiketime të pjesëtarëve të stafit tim, dhe ftoj organet e drejtësisë që të merren sa më parë me këtë rast, dhe ta bëjnë ndriçimin e rastit dhe zbulimin e akterëve”.

“Prandaj, ftoj qytetarët e komunës së Vitisë që edhe këto ditë pak të fushatës, ti kalojnë në mënyrën sa më të qetë dhe ti japin kuptim demokracisë, ashtu siç Vitia ka ditur gjithherë, dhe mos të bien pre e dezinformatave, të cilave herët a vonë do t’iu dihet burimi i tyre”, thuhet në reagimin e tij.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se është ndërprerë masa e ndalimit prej 48 orësh ndaj kryetarit të pikës së Lëvizjes Vetëvendosje në Dobresh të Vitisë, Bislim Bislimaj, ngase pas ekzaminimit gjinekologjik rezultoi se 12-vjeçarja nuk është keqtrajtuar seksualisht, andaj nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunim”.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorisë, masa e ndalimit prej 48 orësh është ndërprerë ndaj Bislim Bislimaj, pasi sipas tyre nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale dhe se pas ekzaminimit gjinekologjik, ka rezultuar se 12-vjeçarja nuk ka qenë e keqtrajtuar seksualisht.

“Pas paraqitjes së kësaj situate, me qëllim të ndriçimit të kësaj ngjarje, me urdhër të prokurorit kujdestar, e mitura është dërguar në ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, personi me inicialet B.B. është ndaluar për 48 orë me dyshimin e veprës penale ‘’Dhunimi’’.

Ilustrim

“Mirëpo, pas marrjes së raportit mjekësor tek e mitura nuk janë konstatuar dëmtime traumatike dhe patoligjike, pra sipas ekspertëve mjeko-ligjor e dëmtuara nuk ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga personi në fjalë dhe as nga persona të tjerë” thuhej tutje në njoftimin e prokurorisë.

Tutje, bëhet e ditur se ky rast fillimisht, më 4 nëntor 2021 është raportuar në stacionin policor në Viti si person i humbur, ku edhe është njoftuar prokurori kujdestar dhe në bashkëpunimin me policinë kanë filluar veprimet hetimore.

“Në vazhdim të hetimeve lidhur me këtë ngjarje, e mitura më 5 nëntor 2021, kishte telefonuar familjarët e saj, duke iu treguar se gjendet në qytetin e Vitisë, ku për shkak të moshës së mitur 12 vjeç, e njëjta është dërguar dhe intervistuar në Qendrën për Punë Sociale dhe aty nuk kishte dhënë asnjë deklaratë se është keqtrajtuar seksualisht”.

“Me ç’rast në po të njëjtën ditë rreth orës 14:00 në stacionin policor në Viti, janë paraqitur përsëri prindërit e të miturës, me dyshimin se vajza e tyre ishte keqpërdorur seksualisht nga personi me inicialet B.B”, njofton prokuroria.

Besnik Bislimaj Vetëvendosje, Viti

Besnik Bislimaj: jam në kohë menopauze, nuk kam ndjenja sekuale

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Viti, Bislim Bislimaj përmes një konference të mbajtur për media është deklaruar në lidhje me raportimet se ai mund të ketë dhunuar një të mitur.

Për këtë akuzë, Bislimi ka fajësuar kryetarin e deritanishëm të kësaj komune, Sokol Halitin.

Bislimi ka rrëfyer se me këmbëngulësi është prangosur dhe në mënyrë poshtëruese është dërguar në stacionin policor në Gjilan.

“Unë dua të deklarohem për një padi të cilën ma kanë bë në mënyrë të paligjshme, në mënyrë të padinjitetshme, në mënyrë të gabuar dhe në mënyrë që të më shkaktojnë degradimin e dinjitetit tim”.

“Monstrumi i quajtur Sokol Haliti duhet të largohet sa më shpejtë prej skenës politike dhe t’i hapet një derë e vetme, jo e burgut por e çmendinës, ku e ka vendin e jo në shoqërinë tonë demokratike. Kjo agjendë është e orkestruar prej Sokol Halitit dhe vartësit të tij Jakup Haxhiu”.

“Kërkojmë prej degëve të LDK’së që të distancohen prej kësaj propagande të paskupërllt”, ka thënë ai.

Përvec politike dhe e pa dinjitetshme, akuzën ndaj tijë, Bislimi e quan të orkestruar në prak të rundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.

“Prandaj konsideroj se kjo akuzë ndaj meje është kryekëput politike dhe e koordinuar e dirigjuar, e orkestruar nga subjekti rival politik para fushatës zgjedhore dhe në prag të fushatës zgjedhore për të bërë manipulime, koka të qelbura të partisë në pushtet për të fituar vota”.

“Nuk është hera e parë që këto koka të qelbura kanë bërë ndikim, kanë shantazhuar, kanë ushtruar presion mbi anëtarët e Lëvizjes”.

“Kjo padi e turpshme tregon ligshin e subjektit rival politik”, ka deklaruar ai.

Bislimaj ka thënë se ai është në një fazë të menopauzës dhe se nuk ka ndjenja seksuale.

Përndryshe, ai ka deklaruar se me akuza të tilla është përballur edhe në të kaluarën.

“Akuzat ndaj meje për përdhunim është shumë e rëndë dhe e pabazë dhe pa kurrfarë faktesh”.

“Këtë mund ta dokumentoj me pastërtinë time morale, juridike dhe politike se gjatë gjithë jetës sime 65- vjeçare, as në gjendje të dehur, as në gjendje narkoze, as në gjendje të dijes, nuk kam bërë këso veprime”.

“Unë i kam paralajmëruar se jam në moshë 65-vjeçare dhe jam në stadin e menopauzës dhe nuk kam ndjenja seksuale”.

“Nuk është hera e parë që këto koka të qelbura kanë bërë ndikim, kanë shantazhuar, kanë ushtruar presion mbi anëtarët e Lëvizjes. Kjo padi e turpshme tregon ligshin e subjektit rival politik”, ka thënë Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore