Sport

Reagimi i parë i Conte-s pas shkarkimit nga Tottenham-i


Ashtu edhe siç pritej në javët e fundit, Tottenham-i e shkarkoi nga posti i trajnerit, italianin, Antonio Conte-n.

Italiani u shkarkuar në orët e hershme të mëngjesit të së hënes, derisa tani ka ardhur reagimi i parë i tij.

Conte ka reaguar pas shkarkimit teksa falënderon mbështetësit, derisa nuk pati “fjalë të këqija” për drejtuesit, pavarësisht se së fundmi nuk ishte e mirë marrëdhënia mes tij dhe atyre.

“Mbi të gjitha futbolli është pasion. Dua t’i falënderoj thellësisht të gjitha ata që ishin me mua në këtë rrugëtim me Tottenham-in”, tha fillimisht Conte.

“I falënderoj të gjitha ata që e vlerësuan pasionin dhe mënyrën time intensive si trajner. Një falënderim special për fansat që më mbështetën, nuk do t’i harroj kurrë momentin që më thërrisnin emrin në kor”, shtoi italiani.

“Tashmë, udhëtimi përfundoi dhe dua t’iu uroj më të mirën për të ardhmen”, ishin fjalët e Antonio Conte-s.

Vendimi i shkarkimit nga londinezët erdhi si pasojë e rezultateve zhgënjyese në këtë sezon, që nuk shkuan përtej fazës së 1/8-tave në Ligën e Kampionëve, teksa në Premier League janë të detyruar të luftojnë sërish për vendin e katërt.

Por, nuk ishin vetëm rezultatet ato që ndikuan tek shkarkimi i trajnerit italian.

Në mediat britanike bëhet e ditur se disa prej lojtarëve të Spurs nuk ishin dakord me taktikat dhe mënyrën e stërvitjes nga Conte, ndërsa një tjetër shkak ishin edhe deklaratat aspak të përmbajtura të 53-vjeçarit i cili e theksonte shpesh se klubit nga Londra i duhej kohë për të ndryshuar mentalitetin inferior.

Kujtojmë që Conte e mori drejtimin e londinezëve më 2 nëntor të vitit 2021.

Në total, ai e ka drejtuar Tottenham-in në 76 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave i ka fituar 41 ndeshje, ka barazuar 12 dhe numëron 23 humbje.

Mediat në Itali raportojnë për një rikthim të mundshëm të italianit në stolin e Inter-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore