Lajme

Raundi i 5-të i bisedimeve për dinarin planifikohet për të enjten, njofton Petkoviçi


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, njoftoi për tabloidin serb “Informer” se cikli i ri i takimeve për dinarin në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohet të mbahet të enjten (18 prill) në Bruksel të Belgjikës, derisa u shpreh pesimisit se do të gjendet një zgjidhje kompromisi për këtë çështje.

“Ne shkojmë me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje për dinarin, edhe pse nuk jam optimist, duke pasur parasysh mosgatishmërinë e Prishtinës për të kërkuar zgjidhje nëpërmjet kompromisit”, deklaroi kryenegociatori serb.

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, theksoi se në fund të kësaj jave planifikohet të mbahet raundi i ri i negociatave për dinarin, ndërsa shtoi se pret nga të dyja palët që të jenë “mendje hapur” drejt zgjidhjes së përkohshme bazuar në propozimin e bllokut për kompromis.

“Në fund të kësaj jave, do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura”, tha ai.

Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen për çështjen e dinarit serb as në takimin e katërt që u zhvillua më 4 prill ndërmjet dy delegacioneve në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa diplomati sllovak u shpreh se – megjithatë – palët janë afër gjetjes së zgjidhjes. Në fakt, ky do të jetë takimi i pestë dhe me shumë gjasë i fundit për çështjen e dinarit serb.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan nën ndërjmetësimin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së BQK-së, nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb, palët nuk u pajtuan mbi kompromisin e propozuar për zgjidhje të “krizës së dinarit” nga BE-ja.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, njoftoi pas takimit se Kosova e pranoi ofertën e Lajçakut për zgjidhje të problemit mbi dinarin serb, duke e konsideruar “propozim konstruktiv” që njëkohësisht është brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës për politikën monetare.

E përderisa pala kosovare nën udhëheqjen e zëvendëskryeministrit të Kosovës e pranoi “propozimin konstruktiv” të Lajçakut, delegacioni serb në udhëheqjen e Petkoviçit nuk tregoi gatishmëri që të reflektojë dhe rrjedhimisht, refuzoi ofertën e Lajçakut për kompromis të negociuar, ndërsa kërkoi “kohë shtesë” për çështjen në fjalë.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë këtë javë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore