Lajme

Rashiç pas takimit për Asociacionin: Ka potencial për bisedime të mëtejshme


Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç

“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, ka deklaruar ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, pas diskutimit të mbyllur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që u mbajt të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Ai në një prononcim për Radio Evropën e Lirë ka bërë të ditur se pjesëmarrësit kanë diskutuar për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.

“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, deklaroi ministri.

Në disa nga rastet Rashiç kishte deklaruar se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen.

Sipas tij në këtë takim njerëzit kanë qenë “bashkëbisedues relevantë”.

Dallimet ishin mes palës shqiptare dhe asaj serbe dhe jo mes pozitës e opozitës, ka thënë në një prononcim të shkurtër për Albanian Post nën-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili me bashkë-partiakun Avduallah Hoti, ishte në takimin e ftuar nga Ambasada Amerikane ku u diskutua për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Natyrisht dallimet janë të mëdha mes shqiptarëve dhe serbëve”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk ka pasur dallim opozitë-pozitë”.

Sa i përket diskutimeve brenda, Haziri tha se “asgjë të veçantë nuk ka pasur, thjesht është bërë diskutim” dhe “secila palë ka paraqitë qëndrimin e vet dhe pikëpamjet e tona i kemi ndarë”.

Haziri ka konfirmuar se nga qeveria ishin “gjashtë anëtarë të qeverisë, gjashtë ministra dhe i kanë paraqitur pikëpamjet individuale secili për sektorin e vet”.

Disa nga këta ministra, siç ka kuptuar edhe Albanian Post ishin Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç dhe zëvendës-kryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi.

Pas takimit i vetmi që ka komentuar publikisht është Jeff Hovenier.

Ai, përmes llogarisë në Twitter, ka “falënderuar aktorë të ndryshëm që ishin prezent dhe ndan pikëpamjet e tyre dhe ekspertizën”.

Ambasadori takimin e quajti “sesion dëgjimor për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, derisa shtoi se “do vazhdojmë të avokojmë për implementimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Dialogu”.

Ky takim i organizuar në Ambasadë ka ardhur në një kohë kur është intensifikuar kërkesa amerikane për themelimin e Asociacionit si parakusht për vazhdimin e negocimit dhe potencialisht arritjen e një marrëveshje bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Artikulimi i fundi i kësaj kërkese u shpreh përmes një letre të hapur të dy top-diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore