Lajme

Haziri tregon për Albanian Post çfarë u diskutua në takimin e thirrur nga Ambasada Amerikane për Asociacionin


Lutfi Haziri

Dallimet ishin mes palës shqiptare dhe asaj serbe dhe jo mes pozitës e opozitës, ka thënë në një prononcim të shkurtër për Albanian Post nën-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili me bashkë-partiakun Avduallah Hoti, ishte në takimin e ftuar nga Ambasada Amerikane ku u diskutua për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Natyrisht dallimet janë të mëdha mes shqiptarëve dhe serbëve”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk ka pasur dallim opozitë-pozitë”.

Sa i përket diskutimeve brenda, Haziri tha se “asgjë të veçantë nuk ka pasur, thjesht është bërë diskutim” dhe “secila palë ka paraqitë qëndrimin e vet dhe pikëpamjet e tona i kemi ndarë”.

Haziri ka konfirmuar se nga qeveria ishin “gjashtë anëtarë të qeverisë, gjashtë ministra dhe i kanë paraqitur pikëpamjet individuale secili për sektorin e vet”.

Disa nga këta ministra, siç ka kuptuar edhe Albanian Post ishin Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç dhe zëvendës-kryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi.

Haziri pohoi se diskutimi ka qenë i lirë dhe “Kush ka dashur ka pasur mundësi të flas”.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së ai pohoi se ishte ai i njëjti të cilin Lidhja Demokratike e ka prezantuar edhe të hënën përmes një komunikate për media.

LDK në këtë komunikatë për media ka ritheksuar qëndrimin e tyre se e “mbështetë procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”.

Dhe se “orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme”.

Sa i përket themelimit të Asociacionit, LDK-ja ka vlerësuar se “kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”.

“Shkoi shumë mirë” – brenda takimit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore