Lajme

Rashiç: Nënshkrimi i peticionit i pritshëm, zgjedhjet e reja sjellin përfaqësim më normal në Veri


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, e ka konsideruar si “hap të pritur” nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok – pasi që vlerësuar se përfaqësimi atje nuk ishte i shumicës, dhe si pasojë ka sjellë situatën me peticionin.

Këtë të mërkure ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të Komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, përkatësisht Erden Atiqit dhe Lulzim Hetemit, të cilëve u janë përgjigjur një numër i madh i qytetarëve serbë lokalë – shumicë në këto komuna.

“Ministria e jonë e ka hartuar këtë plan sipas nevojave dhe është një hap i pritur sa i përket nënshkrimeve nga qytetarët atje, verifikimit të nënshkrimeve dhe nëse krijohen kushtet për ndonjë referendum edhe ai do të ndodhë atje”, ka thënë Rashiç në një intervistë për televizionin publik.

“Konsideroj që nëse do të ketë zgjedhje atje pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë e kënaqshme”, theksoi ai, derisa shtoi se me zgjedhjet e reja do të ketë përfaqësim më normal në Veri.

Ai ishte i qartë se nuk do të paraqesë kurrfarë problemi për të se kush do të jetë kryetar i ri i katër komunave Veriore, të banuar me shumicë serbe.

Rashiç ka përjashtuar mundësinë e përsëritjes së sulmit terrorist të 24 shtatorit, kjo pasi që, siç thekson ai, i gjithë faktori ndërkombëtarë tashmë është i sensibilizuar për këto ngjarje.

Kryeministri Albin Kurti, në prag të vitit të ri u vetëofrua për të shkruar një draft statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe këtë ta bëjë së bashku me dy ministra të tij. Njëri ndër ta Rashiç.

Duke folur për këtë, ministri nga radhët e komunitetit serb ka deklaruar se është i gatshëm që ta jap kontributin e tij nëse i kërkohet për këtë çështje.

“Prej fillimi kam thënë se obligimet ndërkombëtare nuk mund të fshihen. Pra ai dokument pavarësisht se si quhet Asociacion apo vetmenaxhim kjo nuk është relevante. Konsideroj që në arenën ndërkombëtare do të shihej si një hap i madh i Kosovës kur do të nis hartimi i draftit të Asociacionit dhe mendoj se një çështje e tillë do ta fuqizojë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, beson Rashiç.

Ndryshe, Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, të mërkurën në mëngjes u grumbulluan afër sallës së sportit në këtë komunë, për të nënshkruar peticionin e shkarkimit të kryetarit, Erden Atiq.

Numri i qytetarëve të cilët ishin grumbulluar në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve në këtë komunë për të nënshkruar peticionin ishte relativisht i lartë.

Para sallës së sportit ishte e pranishme edhe Policia e Kosovës, e cila monitoron të gjithë procesin.

Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit në Mitrovicë të Veriut nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Lulzim Hetemit, gjithashtu ka nisur në orën 9:00 të mërkurën e 16 janarit.

Mbledhja e nënshkrimeve po organizohet para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Nga pamjet në terren në mëngjes, numri i interesuarve për nënshkrimin e peticionit është relativisht më i vogël në krahasim me numrin në Mitrovicë të Veriut.

Në Leposaviq, sipas KQZ-së duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime në atë mënyrë që të iniciohet tutje procesi i shkarkimit të Lulzim Hetemit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore