Lajme

Raportohet se Petkoviç do të qëndrojë në Kosovë sot dhe nesër


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, raportohet se të shtunën dhe të dielën do të qëndrojë në Kosovë.

“Petkoviç në mbrëmjen e së shtunës do të qëndrojë në manastirin e Visoki Deçanit, ku do të marrë pjesë në mesnatën e Liturgjisë së Pashkëve”, thuhet në njoftimin e zyrës së Petkoviç-it, transmeton Kossev.

“Për Pashkë, dua të jem me popullin tim në Kosovë. Jam duke pritur ende për një përgjigje, edhe pse ju e dini si më trajton Prishtina në shumë raste kur është puna për vizitat, kishte deklaruar të premten Petkoviç në mediat serbe.

Tutje, ai kishte thënë se “nuk do të heq dorë kurrë” për këto vizita në Kosovë, pasi që siç thotë Petkoviç “është detyra dhe puna ime”.

Ndërsa, nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk është bërë asnjë njoftim nëse i është dhënë leja Petkoviç-it për ta vizituar Kosovën.

Përveç Petkoviç-it, në Kosovë është duke qëndruar edhe ministrja serbe e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç, e cila edhe ka zhvilluar disa vizita tek komuniteti serb në Kosovë, ndërsa vizitën e saj do ta vazhdojë edhe të dielën.

Vizita e tij në Kosovë vjen pas marrëveshjes për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Kosova donte që të ishte e frazuar si “personat e zhdukur me dhunë”, kurse Serbia si “personat e pagjetura”.

Ishte Petar Petkoviç, kryenegociatori i palës serbe, ai i pari i cili foli për media pas takimit me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bilsimin, duke deklaruar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Për Marrëveshjen për personat e pagjetur, pas takimit foli edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili konfirmoi pajtimin, por pa u lëshuar në detaje se a përmban deklarata termin “me dhunë”, apo jo.

Lidhur me takimin në nivel kryenegociatorësh foli edhe shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili tha Marrëveshja për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur është hapi i parë.

“Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, shkroi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në rrjetin e tij në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore