Lajme

Raportimi i AP-së, Tahiri: Ky skandal duhet të trajtohet përmes një Komisioni Hetimor Parlamentar


Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, duke komentuar raportimin e Albanian Post, ku shpërfaqet se si me një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë, ka thënë se për këtë skandal të krijohet një komision hetimor parlamentar.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se ky skandal nuk mjafton të trajtohet në Kuvendin e Kosovës thjesht me një seancë të jashtëzakonshme ose përmes një interpelance.

“Ky skandal duhet të trajtohet përmes një komisioni hetimor parlamentar sepse nuk mjafton që ky skandal të trajtohet vetëm me ministrin”, shkroi Tahiri.

Ai ka shtuar se për këtë çështje duhet të ftohen shumë akterë për t’i dhënë shpjegimet e duhura para komisionit hetimor parlamentar.

Çka raportoi AP?

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Albanian Post posedon dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore