Lajme

Raportim i rremë i pasurisë, dyshimet për vjedhje votash dhe “room service” me para të shtetit – jeta politike e Meliza Haradinajt


Meliza Haradinaj, ish-ministre e Jashtme e Kosovës

Ulësen e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka lëshuar pas nëntë muajve, pasi janë publikuar disa video-incizime në bazë të së cilave dyshohet se bashkëshorti i ish-ministres, Dardan Stublla, ka manipuluar në sigurimin e votave për kandidaten për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Videot kanë shkaktuar debat të madh publik, megjithatë organet e rendit ende nuk kanë dalur me një konstatim për vërtetësinë e tyre.

Por cila ishte performanca e Haradinajt si kryediplomate?

Hulumtuesi nga organizata D4D, Visar Xhambazi ka thënë për Albanian Post se “ish-ministrja Meliza Haradinaj nuk ka ofruar ndonjë strategji afatgjate për këtë dikaster të qeverisë”.

“Ish-ministrja me tepër është marrë me urime dhe përgëzime, duke ju uruar vendeve njohëse ditën e pavarësisë apo festat kombëtare. Gjithashtu, ish-ministrja është marrë me kritika dhe reagime dhe ka ndjekur një qasje defansive në politiken e jashtme”, tha Xhabazi.

“Ngjarja me e rëndësishme që ka ndodhur përgjatë udhëheqjes së saj ka qenë padyshim formimi i marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, mirëpo e njëjta nuk mund t’i atribuohet shërbimit diplomatik apo ministrisë së jashtme për shkak se ajo është arritur si rezultat i arritjes së zotimeve politike në Uashington DC më 4 shtator 2020”.

Edhe studiuesi i diplomacisë, Mirlind Behluli, konsideron që Haradinaj “nuk ka ndonjë performancë për të cilën do të mbahet mend”.

Ai thekson se nën udhëheqjen e saj “nuk është parë asnjë reformë organizative në MPJ apo ndonjë platformë me vizion të qartë për marrëdhëniet e Kosovës me regjionin, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Duhet theksuar fakti se përgjatë kohës sa Haradinaj-Stublla ishte në krye të MPJ-së, Kosova ka mbetur pa ambasadorë në Uashington, Londër, Paris, Bruksel e Tokio, gjë e cila e dëmton përfaqësimin diplomatik efektiv të Kosovës në qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse në rendin ndërkombëtar”, nënvizoi Behluli.

“Është imperative që Ministri i Jashtëm, përveç personalitet me përgatitje profesionale solide, të jetë para së gjithash figurë e pastër në aspektin ligjor. Pra kryediplomati i Kosovës duhet të jetë gjithnjë një njëri profesionist e pa probleme me ligjin. Duhet të ripërseritet një gjë: diplomacia pas ushtrisë është institucioni më i rëndësishëm i një shteti.

“Andaj, spektri politik i Kosovës duhet të bëj çmos që MPJ të bëhet institucion që udhëhiqet nga njerëz profesionistë e pa probleme me ligjin. Pra të bëhet gjithçka që më kurrë të mos ketë në krye të MPJ-së një ministër si kjo që iku sot”.

Por, përveç rastit të dyshuar për blerje votash, Haradinaj është e akuzuar edhe për një vepër tjetër penale.

Ajo është në procedurë gjyqësore, pasi ajo akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë në kohën sa ishte këshilltare politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Për këtë Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsideron që në pozitat publike nuk duhet të ketë persona me aktakuza.

“IKD vazhdimisht ka kërkuar që në pozita publike mos të ketë persona që kanë probleme me ligjin, qoftë në kuptim të aktakuzave aktive apo dënimeve të formës së prerë. Kjo për arsye që të ruhet drejtshmëria e procesit dhe integriteti i vet institucioneve”, tha Shala.

“Në rastin e Meliza Haradinaj, e njëjta është emëruar në pozitën e Ministres së Punëve të Jashtme duke pasur në fuqi një dënim të shkallës së parë, për mos deklarim të pasurisë, e cila vepër penale hyn në kapitullin e veprave penale të korrupsionit. Më pas, ky rast ishte kthyer në rigjykim, dhe Haradinaj ishte rigjykuar për këtë proces gjatë kohës sa kishte qenë Ministre e Punëve të Jashtme”.

Emri i Haradinajt kishte zënë vend në media edhe në vitin 2020.

Ajo me paratë e taksapaguesve, në cilësinë e këshilltares së Ramush Haradinajt, kishte paguar në një hotel “room service”, apo shërbim në dhomë, në fund të vitit të 2018-s sa ishte pjesë e një udhëtimi zyrtar në Vjenë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore