Lajme

Raporti sekret: Irani mund të vrasë zyrtarët amerikanë si hakmarrje për Soleimani-n


Qeveria amerikane beson se Irani mund të përpiqet të vrasë zyrtarë aktualë ose ish-zyrtarë të lartë amerikanë për t’u hakmarrë për vrasjen e komandantit të lartë Qassem Soleimani.

Lajmi u bë i ditur nga faqja “Yahoo News”, duke cituar një raport të inteligjencës amerikane.

Në janar të vitit 2020, administrata Trump kreu një sulm me dron që vrau gjeneralmajorin iranian ndërsa ai po udhëtonte në Irak.

Që atëherë, regjimi në Teheran ka kërcënuar me hakmarrje ndaj atyre që i konsideron përgjegjës dhe ka bërë një sërë kërcënimesh kundër zyrtarëve amerikanë.

“Regjimi iranian po zhvillon një fushatë të shumëanshme – duke përfshirë kërcënimet për veprime vdekjeprurëse, manovra ligjore ndërkombëtare dhe lëshimin e urdhër-arresteve dhe sanksioneve iraniane – kundër zyrtarëve të zgjedhur amerikanë për t’u hakmarrë për vdekjen e komandantit të IRGC-QF Soleimani në janar 2020, duke ngritur kërcënim brenda dhe jashtë vendit për ata që Irani i sheh si përgjegjës për vrasjen”, thuhet në raport.

IRGC-QF është Forca Quds e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, e cila është pjesë e ushtrisë së Iran-it.

Qendra Kombëtare e Kundër Terrorizmit, e cila prodhoi raportin e inteligjencës së qershorit, nuk pranoi të komentojë për agjencinë e lajmeve.

Ndërsa, Shërbimi Sekret i SHBA-ve nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Raporti i inteligjencës, i cili është shënuar “Jo për publikim” dhe “Vetëm për përdorim zyrtar”, është i datës 16 qershor 2022.

Kjo, dy ditë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi zyrtarisht udhëtimin e presidentit amerikane Joe Biden në Lindjen e Mesme.

Biden zbarkoi në Izrael të mërkurën për pjesën e parë të udhëtimit, pas së cilës ai pritet të fluturojë për në Arabinë Saudite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore