Lajme

“Raporti i TI-së dëshmoi se Kosova udhëhiqet nga Qeveria e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme”, thotë PDK-ja


Partia Demokratike e Kosovës.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, konsideron se raporti i Transparency International (TI), konstatoi se Kosova është duke u udhëhequr nga një Qeveri “e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme”, për shtetin dhe qytetarët.

Sipas tij, është shqetësuese mungesa e vullnetit politik nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengoj hetimet e pavarura ndaj tyre”.

“Këtë, dje e dëshmoi edhe Transparency International, e cila në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, ka renditur Kosovën në pozitën e 83-të në ranglistën botërore, me vetëm 41 pikë. Pra gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Republika e Kosovës në rang botëror mban pozitën e 83-të, njëjtë me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami”, tha Gruda në konferencë për media.

Ndërsa, theksoi se ekzekutivi akoma s’ka hequr dorë nga kontrolli i institucioneve, duke sqaruar se këtë e vërtetuan shumë raste.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

“Aty thuhet se ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, e ilustruar me shkarkimin e kreut të njësisë së hetimit të posaçëm të policisë, së bashku me pengimin nga deputetët e mazhorancës të një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar për korrupsion të madh, sugjerojnë se vullneti politik për të hequr dorë nga kontrolli dhe forcimi i mbikëqyrjes së pavarur ende nuk ekziston”, theksoi Gruda.

Për këto arsye, PDK-ja bëri thirrje tek pushteti që të ndalen sulmet ndaj organeve të drejtësisë dhe t’u hapet rruga hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës.

“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Qeverisë, ashtu siç kemi bërë gjatë tri viteve të kaluara, që të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë, mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe të i hapë rrugë menjëherë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive, e të cilat janë të shumta, ku zyrtarët e saj tashmë janë të përfshirë”, tha Gruda.

Kosova nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare Transparency International (TI) për vitin 2023, derisa vendi i vogël ballkanik është radhitur në pozitën e 83-të në mesin e 180 vendeve që analizohen në raportin e përvjetshëm të kësaj organizate.

Për vlerësimin e 180 vendeve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. E gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, pra mbetet e njëjtë sikurse në vitin paraprak.

TI shpreh shqetësimin për mungesën e përparimit, duke thënë se lufta kundër korrupsionit ende nuk është në lartësinë e përparimit demokratik që shënoi Kosova në drejtim të zgjedhjeve të lira, derisa ngritet veçanërisht shqetësimi për ndërhyrjen e pushtetit në sistemin e drejtësisë kosovare.

Kosova s’ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit – problem ndërhyrja e qeverisë në gjyqësor, vlerëson TI

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore