Lajme

Raporti i CIA-s: “Princi i Arabisë Saudite ka miratuar vrasjen e Khashoggi-t”


Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), “miratoi” operacionin që çoi në vrasjen brutale të gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018. Kjo sipas një raporti të inteligjencës amerikane (CIA) të publikuar të premten.

Raporti prej dy faqesh tregon se komuniteti i inteligjencës bazonte përfundimet e tij në kontrollin absolut që princi i kurorës kishte mbi vendimmarrjen në mbretëri.

“Ne vlerësojmë se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, miratoi një operacion në Stamboll, Turqi për të kapur ose vrarë Khashoggi-n”, shkruhet në raport.

Që nga viti 2017, Princi i Kurorës ka pasur kontroll absolut të organizatave të sigurisë dhe inteligjencës së Mbretërisë saudite, duke e bërë shumë të vështirë që zyrtarët të kenë kryer një operacion të kësaj natyre pa autorizimin e princit, thuhet në gazetën The Washington Post.

Por në një reflektim të asaj që zyrtarët e përshkruajnë situatën si “delikate midis marrëdhënieve dypalëshe me një komb që tradicionalisht ka qenë partner”. Si pasojë e kësaj, nuk do të zbatohen kufizime kundër princit.

Ka shumë gjasa që princi të mos lejohet në Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë.

Mosvendosja e ndëshkimeve të drejtpërdrejta ndaj MBS-së nuk do pritet mirë nga ligjvënësit, që për vite me radhë kanë kërkuar që ai të mbajë përgjegjësi për aktin, shkruan Washington Post.

“Atij duhet vënë sanksione, përfshirë financiare, udhëtimesh dhe ligjore. Qeveria Saudite duhet të vuajë pasoja të rënda për sa kohë që ai mbetet në qeveri”, tha senatori Ron Wyden, në një deklaratë.

Çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet midis dy shteteve?

Marrëdhëniet e ardhshme me mbretërinë do të jenë sfiduese, ndërsa administrata përpiqet t’i përmbahet vendosmërisë së saj për të shmangur princin e kurorës.

Bërja publike e raportit ODNI shënon fundin e një procesi të gjatë që filloi kur Khashoggi u vra.

Biden pritet të marrë një qëndrim më të fortë se paraardhësi i tij Donald Trump për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Arabinë Saudite.

Ai tashmë ka ndaluar për rishikim të gjitha blerjet e armëve nga mbretëria, konsumatori më i madh në botë për mallrat e mbrojtjes amerikane.

Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë, është një aleat kryesor amerikan në Lindjen e Mesme.

Gjatë një telefonate, të enjten, me Mbretin Salman, presidenti Biden “pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit”.

Duke hedhur poshtë raportin e SHBA-së, ministria e jashtme saudite këmbënguli që ata që ishin përgjegjës për krimin ishin hetuar si duhet dhe drejtësia ishte vendosur.

CIA, bazuar pjesërisht në përgjimet e mesazheve me tekst dhe telefonatave, së bashku me një regjistrim audio të vrasjes reale, kundërshtoi pretendimet e qeverisë saudite se princi i kurorës nuk ishte i përfshirë.

Fajësimi publik i Mohammed bin Salman është një lëvizje e jashtëzakonshme, por deri më tani ai i ka shpëtuar sanksioneve pavarësisht thirrjeve për t’i kërkuar llogari, shkruan BBC-ja.

Lëvizjet e kalibruara me kujdes pasqyrojnë vijën e hollë që po ndjek Presidenti Biden.

Ai dëshiron të veprojë sipas premtimit të tij për t’i kërkuar qeverisë saudite të japë llogari për abuzimet e të drejtave të njeriut, por ai gjithashtu dëshiron të ruajë lidhjet me mbretërinë sepse ajo luan një rol të veçantë në çështjet e Lindjes së Mesme që kanë rëndësi për SHBA.

Të tilla janë përfundimi i luftës në Jemen, ri-angazhimi i Iranit, luftimi i ekstremizmit islamik dhe avancimi i lidhjeve arabo-izraelite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore