Shqipëria

Rama thotë se s’ka më dy drejtësi, e quan reformën përpjekjen më të madhe për vendin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në reagimin e tij të parë zyrtar sa i takon kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ka thënë se mbështet vendosjen e ligjit dhe ka mbrojtur rrënjësisht reformën në Drejtësi, të ndërmarrë që prej ardhjes së tij në pushtet.

Kështu tha ai në një videomesazh për qytetarët, mbi rastin Ahmetaj, duke theksuar se ai atë e ka pasur ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë në këtë dekadë.

Por, kjo nuk do të thotë se ai do ta mbrojë atë, duke parë një dosje serioze dhe voluminoze që Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvend, duke kërkuar miratimin për heqjen e imunitetit të deputetit socialist.

“Nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem kurrë gati, të mbaj mbi shpinë askënd, që e kujton partinë si shpina e një kali për të kullotur në lëmë. Drejtësia duhet të godasë drejtësisht”, tha prerazi Rama, duke mbështetur votën pro arrestimit të Ahmetajt.

Megjithatë, ai theksoi se i takon vetëm Gjykatës, që të thotë fjalën e fundit rreth akuzave të ngritura ndaj ish-ministrit.

Teksa mesazhin më të qartë, e ka drejtuar për nga qytetarët, të cilëve i thotë se drejtësi me dy standarde, nuk ka më.

“Nuk ka më dy drejtësi, një për të fortit dhe një për të dobtit”, theksoi kryeministri, duke shtuar se forca politike që ai drejton, është e vetmja që mund ta bëjë diçka të tillë.

Kjo, edhe me koston e “të mbyturit” rrugës, por duke e etiketuar si përpjekjen më të madhe që mund të bëhet për vendin, drejt një të ardhmeje perëndimore.

Një mesazh, ai e pati edhe për gjithë pushtetarët e tjerë të ardhur nga radhët e Partisë Socialiste, ku nënvizoi se forca e majtë politike, nuk do të mbajë mbi shpinë askënd.

Ashtu si e ka përmendur edhe të tjera herë, kreu i Qeverisë, as ai vetë dhe as PS-ja apo Qeveria, nuk do të mbajnë përgjegjësi për veprime personale, të cilat lidhen ngushtësisht me raportin që një qeveritar ka me karrigen e pushtetit.

“Unë nuk pajtohem me askënd që thyen besimin tim dhe të shqiptarëve, që mbush xhepin përmes pushtetit. Unë jam gati të mbaj mbi shpinë pa asnjë ankim, baltën e pambarimtë të kundërshtarëve. Por jo ata që e kujtojnë partinë, si shpina e një kali për të kullotur në lëmë”.

Më parë, sipas kryeministrit, pandëshkueshmëria në Shqipëri ishte një normë poshtëruese dhe drejtësia kishte një kulturë mjerane, duke u treguar e egër përpara të dobëtëve dhe e dobët përpara të pushtetshmëve.

Sot, për Ramën, nuk ka më të tilla situata, me drejtësinë e re, e cila ende është larg asaj çfarë duhet të jetë, por që po shkon në drejtimin e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore