Shqipëria

Rama: Albin Kurti kërkon që ne të ndihmojmë vaksinimin e mësuesve në Kosovë


Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, të enjten e 1 prillit, nga qyteti i Rrogozhinës, ka zbuluar mesazhin që i ka dërguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falënderuar, e duke më kërkuar që, meqë ata morën vaksina për mjekët, do dëshironte që ne ta ndihmonim për mësuesit”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur i gatshëm për të ndihmuar në vaksinimin e mësuesve në Kosovë.

“Kemi rritur ndjeshëm eksportin”

Kryeministri ka deklaruar se, Shqipëria “ka rritur ndjeshëm eksportet” e prodhimeve vendas. Ai ka zhvilluar një takim me fermerët, me të cilët ka biseduar për mbështetjen e deritanishme të qeverisë, në sektorin e bujqësisë.

“Në Shqipëri, në 2013, punoheshin afro 1225 mijë hektarë, sot jemi 250 mijë”, ka thënë Rama, duke krahasuar gjithashtu dhe shifrat e eksportit dhe importit.

“Para shtatë viteve, Shqipëria importonte shtatë dhe eksportonte një. Ndërsa sot importohen tre dhe eksportohet një”, ka shprehur Rama.

Gjithashtu, kryeministri i është drejtuar opozitës, duke i cilësuar si “anti-shtet” dhe “të turpshme” veprimet që kundërshtari i tij bën në fushatë.

“Ata janë anti-shteti, rrumpalla, ata janë paaftësia dhe dëmi që i rri mbi kërcënim Shqipërisë. Ajo që po bën Basha bashkë me ata që organizojnë ato dasma pa nuse, është e turpshme, një rrumpallë kriminale, pasi ato janë vatra infektimi”, ka thënë Rama.

Ndërsa, presidentin e vendit, Ilir Meta, ish- kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhin, i ka cilësuar si “armiq të Reformës në Drejtësi”.

Prezent ishte dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, si dhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etien Xhafaj.

Si vijim të takimeve të tij, në Rrogozhinë, Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vëzhguar qendrën e vaksinimit masiv.

Gjithashtu, ka inspektuar dhe procesin e rindërtimit të banesave që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, të 2019-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore