Shqipëria

Rama shpjegon mos-linjëzimin me BE-në për sulmin në Banjskë: Prisnim një deklaratë të dytë që kërkonte hetim ndërkombëtar


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pas mos-linjëzimit me deklaratën e Bashkimit Evropian për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, autoritetet shqiptare prisnin një deklaratë të dytë nga Unioni.

“Ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë, që do të ishte krejt normale nëse agresioni kriminal i Banjskës nuk do të kishte ndodhur, prisnim një deklaratë të dytë të BE-së, ku të dënoheshin qoftë organizatorët e ngjarjes në Banjskë, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej menjëherë një hetim i pavarur ndërkombëtar”, theksoi fillimisht Rama.

Ai shtoi se autoritetet evropiane shpjeguan se kohët e procedurat e BE-së, nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë.

“Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të mos-linjëzimit me deklaratën e parë”, tha kryeministri shqiptar.

Kreu i Qeverisë u shpreh se një mos-linjëzim me politikën e jashtme të BE-së, “nuk është fjalë goje”, për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE.

“Nuk është as një akt heroizimi natyrisht. Por ai mbetet një akt politik kundërshtie në dokumentat e marrëdhënieve tona me Brukselin”, vërejti kryeqeveritari.

“Të mos e harrojë askush, kur këtë akt e bën Shqipëria, zëri i së cilës sot është zëri më i dëgjuar dhe më i respektuar, kur flitet për rajonin dhe sidomos për marrëdhënien Kosovë – Serbi në Bruksel apo Washington, atëherë kjo që bëmë ishte më shumë se sa një deklarim i papritur i Shqipërisë”, shtoi ai.

Deklarimi, sipas tij, ishte një manifestim mos-dakordësie konstruktive, për të dhënë një mesazh të qartë mbi peshën e rëndë të asaj ngjarjeje, në rrugën e përpjekjeve të përbashkëta për normalizim, përmes dialogut e bashkëpunimit rajonal.

“Pozicioni i vetë-dobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu, si edhe vetë-viktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, e bëjnë jo fort të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën ne e kemi vazhduar në çdo instancë e rrethanë të mundshme, siç ishte edhe samiti i Komunitetit Politik Evropian në Granada, ku së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, kemi folur me aktorët politikë të pranishëm për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, sepse Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe, përderisa jo vetëm nuk e dënoi agresionin, po e mbuloi atë me flamurin kombëtar të zisë”, ravijëzoi në përmbyllje Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore