Shqipëria

Rama për Al Jazeera-n: “Shqipëria 2030” do të ndryshojë tendencat e shqiptarëve


“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kaloi mandatin e tij të dytë, në përpjekje për të pastruar politikën shqiptare. Ai ngriti një gjykatë speciale korrupsioni dhe ka vendosur të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në një proces vetingu për të zbuluar burimet e tyre të pasurisë”.

Kështu shkruhet në artikullin e pasqyruar nga agjencia e lajmeve “Al Jazeera”, të enjten e 24 qershorit, ku i intervistuari kryesor ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë saj, ai u ndal në një sërë çështjesh, si: mandati i tretë dhe proceset transformuese që do të ndryshojnë tendencat, sipas tij, kah largimit të shqiptarëve.

“Ajo që ne po bëjmë gjatë gjithë këtyre viteve është që thjesht të mos humbasim më shumë kohë”, ka thënë Rama dhe, sipas tij, duhet “të ecim më shpejt me reformat, të ecim më shpejt me modernizimin, për ta bërë vendin të funksionojë në drejtim të sistemeve. Dhe atëherë tendencat mund të ndryshojnë”.

“Al Jazeera” shkruan se, me fillimin e mandatit të tij të tretë, Rama planifikon të përqendrohet te reforma universitare, duke punësuar shqiptarët e Diasporës në Bordin e Arsimit të Lartë.

Ata kanë për detyrë të përgatisin sistemin për bashkimet dhe programet e përbashkëta me universitetet e huaja për të “ndërkombëtarizuar frymën e arsimit të lartë shqiptar”.

“Ju nuk mund të fajësoni një fëmijë të ri… që dëshiron gjërat që do në atë moment”, u përgjigj Rama, kur u pyet për shkallën e lartë të emigracionit.

Al Jazeera shkruan se ai, po ashtu, ka plane të mëdha për industrinë e turizmit në Shqipëri, duke ftuar tenderë për të ndërtuar katër porte dhe katër aeroporte përgjatë detit Adriatik të Shqipërisë.

“Kur u bëra kryeministër, as nuk mendohej që të bëheshin investime serioze në turizëm. Ishte e paimagjinueshme që hotele me pesë yje ose investime të nivelit të lartë do të mund të vinin. Tani Shqipëria është në hartën e tyre”, tha Rama për “Al Jazeera-n”.

BE-ja dhe Shqipëria

Të gjitha këto procese mund të përshpejtohen nëse BE-ja, në të cilën Shqipëria aplikoi për anëtarësim në vitin 2009, fillon bisedimet.

Komisioni Evropian ka inkurajuar unionin se kjo do të bëhet realitet brenda tre vitesh. Madje, vitin e kaluar, Këshilli Evropian i udhëheqësve të qeverive u dakordësua në parim për këtë gjë.

Që nga ajo kohë, Shqipëria ka pritur një datë për çeljen e negociatave. Sipas ekspertëve, Këshilli që do të mblidhet sot nuk ka gjasa të japë ende një datë.

Problemi i parë është se ftesa e Shqipërisë ka qenë e lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut, oferta e së cilës është bllokuar nga Bullgaria, për pretendimin e saj për një gjuhë “maqedonase”.

Bullgaria do që Maqedonia e Veriut të angazhohet për të pranuar se flet një dialekt të Bullgarishtes.

Maqedonia e Veriut, deri në vitin 2018, kapërceu bllokadën greke për anëtarësimin e saj nën emrin “Republika e Maqedonisë” dhe ra dakord ta ndryshojë atë.

“Unë mendoj se do të ketë zhurma pozitive sepse BE-ja nuk dëshiron të shihet se po ‘ftohet’ në proces, por ajo që ata do të thonë në terren mund të mos jetë shumë e madhe”, tha James Pettifer, i cili jep mësim Historinë e Ballkanit në Universitetin e Oksfordit.

Pritja për BE-në

“E ardhmja e Shqipërisë në BE e ka humbur ndriçimin për Jonara Hoxhën”, shkruan “Al Jazeera”.

Ajo tregon se si gjashtë vite më parë, Hoxha vendosi të studionte mjekësi në Tiranë dhe jo në universitetet e huaja që e pranuan.

“Unë me të vërtetë mendoja se nëse do të largohesha, do të humbja pozitën në vendin tim”, u shpreh ajo për “Al Jazeera-n”.

Më tej, ajo shpjegon se ndonjëherë mendonte se do të humbte vendin edhe familjen e saj.

Pas përfundimit të studimeve, ajo dëshiron të specializohet në Gjermani, si kirurge e përgjithshme.

Sipas saj, kjo nuk vjen vetëm ngaqë pagat fillestare në Gjermani janë shumë herë më të larta se 600 dollarë në muaj që ajo do të fitonte në Shqipëri. Ajo është e zhgënjyer shumë nga profesorët e saj, të cilët nuk u paraqitën kurrë në klasë.

Ajo thotë se mjekët në Shqipëri shpesh shihen me dyshim, duke u bërë objekt i sulmeve verbale dhe fizike.

“Ne të gjithë duhet të ndihmojmë për t’i ndryshuar këto gjëra dhe unë jam e gatshme të ndihmoj, por nuk dua të zhgënjehem përsëri”, tha Hoxha.

Sakaq, ajo nënvizon se do të punojë në raport me veten dhe të rritet profesionalisht, e teksa po e bën këtë ndihet sikur po e humbet shpresën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore